E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plehrat fusin në sherr Bashkinë

 

BURREL/ Enver Doçi

Prej 12 vitesh Bashkia Burrel është në konflikt me komunën e Komësisë dhe banorët e fshatit Muzhakë. Hedhja e mbetjeve të qytetit në pronat e këtij fshati ka sjellë jo vetëm ndotjen e zonës, por dhe zënien e tokës.
Ky konflikt nisi në vitin 1996, pas një vendimi të ish-Këshillit të Rrethit Mat dhe më vonë dhe një vendimi të Këshillit Bashkiak Burrel. Sipas të dhënave zyrtare, parcela nr.604 është pushtuar padrejtësisht nga bashkia, pa asnjë lloj vendimi dhe logjike njerëzore. Në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Mat kjo sipërfaqe ku bashkia Burrel hedh tonelata plehra në ditë, është e dokumentuar si pemëtore dhe vresht, pronë e fshatit Muzhakë. Zona kadastrale mban numrin 2213 dhe ndodhet në territorin e komunës Komësi. Në vendimet e mëparshme është vendosur që grumbullimi i mbeturinave të qytetit të bëhet poshtë rrugës nacionale Burrel-Komësi, duke hapur një rrugë për transportimin e tyre dhe madje duke bërë edhe rrethimin e vendit ku do të hidhen këto mbetje. Mirëpo ky vendim asnjëherë nuk u zbatua dhe të gjitha mbetjet organike e inorganike të qytetit hidhen poshtë rrugës nacionale, pa devijuar asnjë metër poshtë saj. Çdo ditë, mbeturina nga më të ndryshmet, ushqime, plastmasë, letra, gjethe, inerte të ndryshme, kafshë të ngordhura e gjithçka tjetër hidhet në anë të rrugës. Vetëm 500 metra larg qytetit, shumë pranë fshatrave të banuar dhe repartit ushtarak këto mbetje kundërmojnë erë të rëndë dhe janë burim sëmundjesh dhe infeksionesh. Tymi, smogu, era e rëndë, insektet e ndryshme jo vetëm janë prezente çdo moment në këto mbetje, por ato në mbrëmje e mëngjes mbërrijë dhe në qytet, për faktin se janë fare pranë zonave të banuara. Banorët e Muzhakës, drejtuesit e komunës Komësi, këshilli komunal i janë drejtuar me peticione e letra të shumta Këshillit Bashkiak Burrel, Prefekturës Dibër, Këshillit të Qarkut, ministrit të Mjedisit e kryeministrit, por në asnjë rast nuk kanë marrë një përgjigje. Herë pas here me iniciativën e drejtuesve të komunës banorët e Muzhakës kanë protestuar dhe kanë kërkuar ndaljen e këtij abuzimi kaq të madh me jetën e njerëzve. “Nuk ankohemi vetëm se na është zënë toka me mbetjet e qytetit, por njerëzit dhe kafshët e fshatit tonë kanë shfaqur probleme serioze”, thonë banorët e Komësisë. Ata thonë se nëse nuk merren masa urgjente do t’u bëjnë thirrje banorëve të bllokojnë rrugën nacionale Burrel-Komësi. “Është për të vënë duart kokës, por vetëm pak metra poshtë plehrave ndodhet dhe reparti ushtarak. Habitemi sesi nuk kanë frikë se ushtarët mund të marrin infeksione”, sqarojnë banorët e Muzhakës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›