Protestuesit e PS sulmojnë policinë me gurë dhe shkopinj
Gjatë gjithë kohës që zhvillohej mitingu i protestës një grup protestuesish të ardhur nga Shkodra kanë provokuar vazhdimisht kordonin e policisë, që ishte vendosur para godinës së Kryeministrisë. Por kulmi arriti kur pasi u mbyll mitingu me fjalën e Ramës, ata nisën të lëshojnë gurë, shishe plastike me ujë dhe shkopinj të banderolave e flamujve në drejtim të policisë. Madje një operator i një televizioni privat u bë pre e këtij sulmi, kur u qëllua me një shkop të një banderole. Ky sulm bëri që policia të marrë masat e saj. Menjëherë trupat speciale u rreshtuan në dy kordonë, të ndihmuar edhe nga pajisjet speciale si mburoja dhe skafandra, ndërsa pjesa tjetër e policëve u tërhoq. Ishte ndërhyrja e kreut të grupit të deputetë, Gramoz Ruçi, Erion Braçe dhe deputetit të zonës, Tom Doshi, që çoi në qetësimin e turmës, e cila gradualisht u shpërnda. Por edhe gjatë fjalës së Ramës pati provokime të kësaj turme ndaj policisë, sa detyruan Ramën të ndërpriste fjalimin e tij e t'u drejtohej të rinjve që të mos sulmonin policinë, pasi sipas tij, ata ishin nëpunës të shtetit shqiptar. Edhe në protestën e 30 prillit, ishte i njëjti grup protestuesish që sulmoi policinë e vendosur para Kryeministrisë, për shkak të ndalimit të disa prej tyre ndaj disa thyerjeve të bëra në rrugët rreth bulevardit kryesor.