E Shtunë, 31 Tetor 2026

Wollfarth: Partitë po sillen si në vitin 1914

TIRANË Pas publikimit të progres-raportit të BE-së për Shqipërinë, përfaqësuesit ndërkombëtarë po vërejnë se partitë politike nuk po lëvizin nga llogoret e tyre. Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth, ka deklaruar dje se politika shqiptare po sillet si në vitet 1914. “Partitë politike duhet të përgatiten dhe të fillojnë dialogun për reformën e Kodit Zgjedhor, e cila duhet të nisë pa humbur kohë. Të gjithë e dëgjuam progres-raportin e Komisionit Europian. Shpresojmë të ketë një efekt kthjellues, por ajo që vëmë re në këtë fazë është se partitë duket se nuk po lëvizin nga llogoret e tyre dhe se janë të përgatitura të rrinë në këto llogore. Kjo nuk është e mirë. Ato nuk duhet të sillen sikur të ishin në vitet 1914-1915, por të përgatiten për të ardhmen dhe të fillojnë reformat, midis të cilave është edhe reforma zgjedhore”,- tha Wollfarth në një intervistë për “TCH”, duke shtuar se rregullorja e Kuvendit do të ishte një fillim shumë i mirë i punës bashkëpunuese mes palëve. “Propozimet kanë ardhur edhe nga Partia Socialiste në formën e një katalogu, i cili është i hapur dhe duhet të kontribuojë si bazë për atë dialog që nevojitet vërtet për ta përgatitur Shqipërinë për të ardhmen, për zhvillimin e kësaj shoqërie, për stabilizimin e institucioneve demokratike, të cilat zakonisht varen nga zgjedhjet e mira. Duhet të shohim zgjedhje akoma më të mira në të ardhmen. Ne kemi nevojë t’i shohim ato, populli shqiptar meriton t’i shohë”, - tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›