E Shtunë, 31 Tetor 2026

SAC pagoi MEICO ditën e shpërthimit



Delijorgji dhe “Southern Ammunition Co” kanë paguar deri tani vetëm gjysmën e vlerës së kontratës së parë që kishin me MEICO-n. Madje, edhe atë e kanë likuiduar ditën e shpërthimit të municioneve në ish-fabrikën e Gërdecit. Këtë fakt e ka bërë të njohur për prokurorët e çështjes “Gërdeci” kryefinancierja e MEICO-s, Luljeta Margariti, e cila ka zbardhur ditët e fundit para hetuesve tërësinë e operacioneve financiare që kryente ndërmarrja e saj me kontraktorë të ndryshëm. Burime nga organi i akuzës pohuan për gazetën “Panorama” se, shefja e financës e MEICO-s ka dhënë shpjegime për mjaft nga veprimet e kryera me urdhër të drejtorit Pinari, i cili ka nënshkruar me dhjetëra pagesa të dyshimta në interes të subjekteve të ndryshme.
Pagesa e SAC
Ditën e katastrofës së 15 marsit kur shumëkush përjetonte shqetësimin e tragjedisë njerëzore të shkaktuar nga shpërthimi i municioneve në ish-fabrikën e demontimit në Gërdec, MEICO dhe SAC nxitonin të humbnin gjurmët e aferës korruptive. Burime nga grupi i hetimit bëjnë të ditur se, kanë zbuluar ditët e fundit dokumentin e pagesës së kryer nga SAC për MEICO-n për vlerën e kontratës Së parë. Kryefinancierja Margariti që ka ofruar për organin e akuzës librin e kontabilitetit dhe dokumentacionin e operacioneve financiare të ndërmarrjes, ka deklaruar se SAC ka bërë likuidimin e parë për llogari të MEICO-s vetëm ditën e tragjedisë. Ajo ka dëshmuar para hetuesve se, në arkën e ndërmarrjes është depozituar vetëm gjysma e shumës së kontraktuar. Këtë “Southern Ammunition Co”, sipas prokurorëve të çështjes, e ka justifikuar me faktin se kontrata ka qenë e papërfunduar ngaqë MEICO nuk plotësoi sasinë prej 100 milionë fishekë 7.62 m/m. Burime nga organi i akuzës u shprehën se, transaksioni financiar është bërë nëpërmjet Bankës Amerikane jë Tiranë vetëm pak çaste nga mbërritja e urdhrit të Prokurorisë së Tiranës për të bllokuar llogarinë bankare të Delijorgjit.
Dyshimi për aferën
Mënyra e lëvrimit të parave për kontratën e parë, ka përforcuar për organin e akuzës dyshimin e një tjetër afere me fishekët e kontraktuar për t’u demontuar. Sipas saj, Delijorgji me ndihmën e zyrtarëve të MEICO-s ka tjetërsuar destinacionin e fishekëve të kontraktuar për t’u demontuar duke i tregtuar ata si municion luftarak. Ka qënë kjo sipas tyre edhe shkaku i vonesës në trasfertën e parave. Hetuesit dyshojnë se Delijorgji është futur në linjën legale të tregtisë së fishekëve në Afganistan, duke futur në këtë linjë produktin e vet, fishekët e “Kallashnikovit” që kishte marrë për demontim në vlerën 5 USD për 1000 copë. Sipas hipotezës së tyre, duke u futur në këtë linjë thuajse forcërisht, SAC u merrte amerikanëve 40 USD për 1000 copë, nga 5 për 1000 që i kushtonte produkti i vet. Kështu 100 milionë fishekët e “Kallashnikovit” të marrë për skrap me anë të kontratës së kompanisë amerikane “Southern Ammunition Co” janë shitur si fishekë të saktë të Afganistan. Kohëzgjatja e zbatimit të kësaj skeme, detyrimisht do të zgjaste edhe kohën e likuidimit që SAC duhej të bënte për MEICO-n. Me dyshimin për këtë aferë kriminale hetuesit lidhin ndërkaq nxitimin e papërmbajtshme, me të cilën u lidh kontrata e dytë për municionet e rënda.                 fa.ma

Pastrimi i Gërdecit, marrëveshje me SHBA
Shqipëria nënshkruan marrëveshje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për pastrimin e zonës së Gërdecit prej mbetjeve të rrezikshme luftarake dhe faktorët ndotës të shkaktuar nga shpërthimi i 15 marsit të këtij viti. Marrëveshja u nënshkrua dje nga ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa dhe zv/ambasadori amerikan në Tiranë, Stephen Christina. Sipas marrëveshjes, pastrimi i zonës nga municionet do të bëhet nga kompania amerikane “AGNA”, e cila do të nënkontraktojë një firmë britanike. Në marrëveshjen e nënshkruar dje thuhet se procesi i pastrimit të zonës do të zgjasë për një periudhë 3-vjeçare. Pak kohë më parë, ambasadori amerikan në Tiranë deklaroi se, sipas ekspertëve, zona e Gërdecit pranë vendit ku ndodhën shpërthimet vazhdon të jetë e rrezikshme.

Gërdec, kapen 20 vetë, vidhnin predha e skrap

TIRANE - Policia e Vorës ndaloi dje në zonën e shpërthimit pranë ish-repartit të Gërdecit, rreth 20 persona që ishin duke mbledhur gëzhoja dhe mbetje predhash për t’i shitur për skrap. Të ndaluarit pritet të përballen me akuzën e vjedhje së mbetur në tentativë, ndërsa sipas policisë ata kanë rrezikuar edhe jetën e tyre duke u futur në zonën pranë shpërthimit e cila konsiderohet ende si një zonë e kufizuar. Kjo pasi ende perimetri i zonës konsiderohet me rrezik, pasi mund të ketë djegore apo predha të pashpërthyera. Burime të Drejtorisë së Policisë së Tiranës pohuan dje se, shërbimet e rajonit të Vorës kishin ndaluar në këtë zonë të dyshuarit: Zamira Balla 35 vjeçe, Etleva Shala, 36 vjeçe, Bora Lazri 34, Lutfije Tuda 44, Eli Dalipi 38 vjeçe, Qerim Balla 14 vjeç, Besim Vajdulla 15 vjeç, Andi Spaho 40 vjeç, Nazmie Ibrahimi 48 vjeç, Engjëllushe Islami, 52 vjeç, Arti Spaho 40 vjeç, Mejdi Lala 42 vjeç, Artan xhixha 34 vjeç, Armelind Zeza 31 vjeç, Arjan Sadikaj 22 vjeç dhe Artur zavalani 36 vjeç. Policia tha se, të gjithë personat e ndaluar që ishin duke marrë gëzhoja për shitje skrapi janë shoqëruar në rajonin e Vorës. Më pas ata janë dërguar në komisariatin e Kombinatit, ku pasi janë marrë në pyetje nga specialistët e Policisë Kriminale, janë lënë të lirë. Policia ka dërguar në Prokurori dosjen penale përkatëse të filluar ndaj të ndaluarve, në gjendje të lirë, për veprën penale të vjedhjes. d.b

Punonjësit e MEICO në borderonë e Delijorgjit

TIRANE - “Albdemil” paguante funksionarët e MEICO. Në dokumentacionin e gjetur nga prokuroria në kasafortën e Dritan Minxollit, në Gërdec mes tjerash është gjetur edhe listëpagesa për funksionarë të MEICO, të cilët paguheshin rregullisht nga “Albdemil”, në këmbim të privilegjeve që ata i krijonin më pas kësaj kompanie “të përkëdhelur” nga MEICO. Në kasafortën e Minxollit në Gërdec, veç tjerash, ishin ruajtur edhe blloqet me faturat e pagesave, që ai kishte bërë për punonjësit e ndërmarrjes tregtare të Ministrisë së Mbrojtjes, të cila siç duket ia shpërblenin duke i bërë favore në sasinë e municioneve, shpejtësinë e ekzekutimit të urdhrave, pagesat për karburantet e mjeteve të ushtrisë etj. Pritet që gjatë hetimeve të zbardhen edhe detaje të tjera, pasi grupi hetimor aktualisht po punon në analizimin e dokumentacionit të gjetur brenda kasafortës. Drejtori i shoqërisë “Albdemil”, Dritan Minxolli, veç borderose se nderrmarrjes ku paguante rregullisht edhe administratoret e MEICO-s, kishte mbajtur shënime të sakta për pagesat e ndryshme që bëheshin nga llogaria e firmës në formë ryshfetesh apo privilegjesh zyrtarëve të tjere te Ministrise se Mbrojtjes, apo edhe personave të tjerë. Aktualisht tre blloqet dhe dhjetëra faturat që u gjenden brenda kasafortës së tij po analizohen nga grupi hetimor, ndërsa pritet që të pyetet edhe vetë i pandehuri për to.                                                                                 fa.ma

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›