E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Politika të gjejë konsensusin për të dalë nga kriza

Kreu i shtetit Bamir Topi ka reaguar sot për situatën politike në vend pas demonstratës së 21 janarit. Në një deklaratë për shtyp presidenti Topi i ka kërkuar klasës politike të gjejë mekanizmat ligjorë për të dalë nga situata problematike.

“Nën frymën e konsensusit si dhe sipas standardeve demokratike, si Kryetar i Shtetit shqiptar, në këto momente të rënda e delikate theksoj me forcë nevojën se klasa politike shqiptare duhet të gjejë e të verë në përdorim të gjithë mekanizmat ligjorë e demokratikë për të dalë nga kjo situatë problematike në interes të Shqipërisë dhe të shtetasve të saj, për të siguruar qetësinë dhe stabilitetin e duhur për vendin dhe shoqërinë shqiptare në realizim të projekteve dhe të ardhmes sonë evropiane” theksoi Topi.

Ai gjithashtu theksoi se sugjeron se pezullimi i përkohshëm i çfarëdolloj demonstrate apo tubimi publik do të kontribuonte ndjeshëm në uljen e tensionit si dhe mundësimit të hapësirave të duhura për institucionet e pavarura të drejtësisë që të zhvillojnë një hetim tërësor, transparent, të paanshëm dhe profesional.
Nga ana tjetër presidenti Topi thekson se duhet që për stabilizimin e menjëhershëm të situatës, si mazhoranca ashtu edhe opozita të gjejnë vullnetin e duhur politik dhe individual e të rivendosin menjëherë dialogun politik institucional!

“Qytetarët shqiptarë, në përpjekje për të përmbushur aspiratën e tyre integruese, nuk mund të qëndrojnë peng pafundësisht i retorikës gjithnjë e më të ashpër në publik të aktorëve dhe faktorëve politikë. Duke mos vënë në pikëpyetje për asnjë çast të drejtën legjitime të çdo subjekti politike dhe individi për të demonstruar paqësisht, së bashku me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian dhe në unision me organizmat e tjera ndërkombëtare, dënojmë dhunën e ushtruar dhe të pajustifikuar gjatë ngjarjeve të 21 janarit duke theksuar edhe njëherë së rendi kushtetues e publik, jeta e qytetarëve dhe e punonjësve në detyrë si dhe institucionet e shtetit janë të shenjta e të paprekshme” shtoi Topi.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›