E Diel, 1 Nëntor 2026

Taksat vendore 10%, Komisioni i Ekonomisë kalon ndryshimet



Taksa vendore për biznesin nuk do të jetë më shumë se 10 për qind. Vendimi i qeverisë për të vendosur tavan për taksat vendore është diskutuar dhe miratuar dje nga

Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave. Ky komision miratoi ndryshimet në projektligjin për "Për sistemin e taksave vendore", i cili synon shmangien e abuzimeve ndaj biznesit të vogël. Projektligji parashikon vendosjen e kufijve të pushtetit vendor për taksat ndaj biznesit të vogël. Në bazë të projektit, bashkitë dhe komunat nuk mund të ulin me shumë se 30 % taksat ndaj biznesit, por as t'i rritin ato më shumë se 10 %. Ligji i mëparshëm parashikonte që bashkitë dhe komunat të mund të ulnin deri në 30 % taksat ndaj biznesit. Po kështu, pushteti vendor kishte të drejtë t'i rriste taksat ndaj këtij biznesi deri në 30 %.

Shqipëria do t’i kthejë Greqisë borxhin e marrë në kohën e diktaturës

Paratë që ka marrë qeveria shqiptare kur ishte në vështirësi ekonomike në kohën e diktaturës do të kthehen tani në kohën e ekonomisë së tregut. Një borxh i akumuluar që nga viti 1987, kohë kur është bërë marrëveshja për tërheqjen e huasë, do të nisë të kthehet tashmë nga qeveria shqiptare. Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave miratoi dje në mbledhjen e radhës marrëveshjen ndërmjet qeverisë shqiptare dhe asaj greke për shlyerjen e borxhit të rrjedhur nga marrëveshja, ndërmjet Bankës së Shtetit Shqiptar dhe konsorciumit të bankave greke, datë 24.6.1991. Qeveria shqiptare kishte detyrime të pashlyera ndaj shtetit grek, të krijuara gjatë sistemit komunist. Detyrimet ishin konkretisht ndaj Bankës Kombëtare të Greqisë dhe Organizatës së Sigurimit të Kredive të Eksportit, në masën 48 milionë dollarë. Sipas të dhënave zyrtare, borxhi është marrë gjatë viteve 1987-1991, kur Shqipëria po kalonte momente të vështira ekonomike, ndërsa sistemit komunist po i vinte fundi. Shteti ynë i kishte Bankës Kombëtare të Greqisë 7.5 milionë dollarë, ndërsa diferenca i takon Organizatës së Sigurimit të Kredive të Eksportit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›