E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Gati të jetësojmë axhendën e BE-së

Kreu i opozitës, Edi Rama, nuk ka preferuar të dalë para kamerave për të shprehur qëndrimin e tij lidhur me progres-raportin e BE-së, por është mjaftuar me një njoftim të shkurtër për mediat, ku e vlerëson analizën e bërë nga ekspertët europianë. “Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama, u njoh me Progres Raportin e Komisionit Europian për vendin tonë publikuar sot (dje) së bashku me Strategjinë e Zgjerimit. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, e konsideron Progres Raportin si një instrument të rëndësishëm për demokratizimin e shoqërisë dhe rrugëtimin europian të Shqipërisë. Kryetari Rama falenderon shërbimet e Komisionit Europian për analizën e kthjellët në këtë Raport, që është një vazhdimësi e detyrave të lëna për vendin tonë nga Opinioni i vitit të kaluar”, - thotë kryetari i PS-së në këtë njoftim të shpërndarë për mediat. Më tej ai bën të njohur gatishmërinë e opozitës për të punuar, për të vënë në jetë reformat e rëndësishme, por pa bërë të qartë nëse me këtë nënkupton 12 prioritetet e përcaktuara në raport apo ato që ka përfshirë vetë në paktin dhjetë pikësh. “Si drejtues i opozitës, Edi Rama përfiton nga rasti për të rinënvizuar vullnetin e opozitës shqiptare për të ushtruar përgjegjësinë që i takon në jetësimin e axhendës shtetndërtuese dhe europianizuese të Shqipërisë”, - thuhet më tej në këtë deklaratë të kryesocialistit Rama, i cili ndryshe nga kundërshtari i tij politik nuk ka preferuar të përcaktojë përgjegjësitë për këtë raport negativ.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›