Topi: Pollo të ndjekë rrugën ligjore për akuzat që më bën, ose të japë dorëheqjen
Presidenca ka reaguar ndaj deklaratave të Ministrit të Inovacionit, Genc Pollo, i cili pati deklaruar se Topi ka vendosur një hartë për çmimet për emërimet në gjyqësor. Pollo foli për gazetën Panorama. Kjo e fundit ka botuar edhe reagimin e Topit. Akuzat e ministrit Pollo janë tërësisht të pavërteta, spekulative dhe të motivuara nga qëllime politike të ditës. Zëdhënësi i Presidentit i hedh ato poshtë me neveri, duke i konsideruar të padenja për një zyrtar të shtetit, aq më tepër, një ministër dhe një deputet. Për fatin e keq Pollo iu bashkua korit vullnetar të baltosje ndaj institucionit më të lartë të shtetit, duke dëshmuar mungesë përgjegjshmërie dhe etike institucionale. Presidenti nuk ka asnjë lidhje me logjikën e tenderëve teknologjikë apo modelin e abuzimeve me postin dhe përgjegjësinë publike. Zëdhënësi e fton publikisht ministrin dhe këdo tjetër që ndjek korin e shpifjeve të njëjta, të kryejnë detyrën ligjore për të ndërmarrë veprime ligjore për çdo pretendim që kanë, përndryshe, në çdo vend demokratik etika dhe morali institucional do të kërkonte që zyrtarë të tillë të lënë postin për të cilin është betuar dhe paguhet nga taksapaguesit shqiptarë, thuhet në njoftimin e presidentit.