Topi: Presidenti, përmes një procesi transparent

Presidenti Topi pret Grupin Parlamentar për Marrëdhëniet e Gjermanisë me shtetet e Evropës Juglindore
Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka thënë se zgjedhja e kreut të ri të shtetit duhet të kalojë përmes një procesi të hapur dhe transparent.
Këto deklarata predienti Topi i ka bërë gjatë një takimi me grupin parlamentar për marrëdhëniet e Gjermanisë me shtetet e Evropës Juglindore, të kryesuar nga Peter Vajs dhe anëtarët Kristel Apah-Kasan dhe Andreas Lamel.
Topi gjatë takimit bëri një përshkrim të reformave në Shqipëri në drejtim të forcimit të demokracisë e shtetit ligjor.
Rol kyç gjatë këtij procesi luan dhe institucioni legjislativ, sidomos në realizimin e reformës zgjedhore, asaj parlamentare dhe zgjedhjes së kreut të ri të shtetit përmes një procesi të hapur dhe transparent, për ti dhënë vendit garantuesin e ekuilibrave dhe pavarësisë së institucioneve kushtetuese, theksoi Topi.
Presidenti Topi shprehu falënderimet e tij për mbështetjen e pandërprerë të Gjermanisë në rrugëtimin integrues të Shqipërisë, si dhe të rajonit ballkanik, në strukturat evropiane.
Përfaqësuesit e grupit parlamentar gjerman vlerësuan rolin kyç të Shqipërisë e faktorit shqiptar në drejtim të forcimit të paqes e sigurisë së popujve të Ballkanit, të projektuar tashmë qartazi drejt integrimit në strukturat euroatlantike.