E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Problemi i Shqipërisë janë politikanët

Konferenca Marrëdhëniet Shqiptaro-Amerikane: Ndërtimi i së Ardhmes

Presidenti i Shqipërisë Bamir Topi duke folur në konferencën Marrëdhëniet shqiptaro-amerikane: Ndërtimi i së ardhmes, ka deklaruar se pas 20 vitesh demokraci dhe ri nisjen e marrëdhënieve mes dy vendeve, Shqipëria është kthyer në një aleatë të ndershëm për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Topi ka theksuar se vendi ynë ndodhet ende larg standardeve të SHBA-së për shkak të sjelljes me dy standarde të politikanëve tanë.

Brenda një harku kohor relativisht të shkurtër është e paimagjinueshme që nga një shtet në krizën e mbijetesës dhe ekzistencës, sot Shqipëria të jetë aleat shumë luajal krahas Shteteve të Bashkuara në aleancën më të madhe të paqes dhe sigurisë në botë, tha Topi duke shtuar se Shqipëria e konsideron SHBA-në një mik të madh dhe një partner strategjik për interesat e saj kombëtare.

Kreu i shtetit shqiptar ka nënvizuar se me të drejtë qytetarët i identifikojnë Shtetet e Bashkuara me vendin simbol të lirisë dhe demokracisë por Shqipëria tha ai mbetet ende larg këtyre parimeve. Topi tha se problemi i Shqipërisë është te politikanët të cilët ndryshe nga ajo që thonë në publik veprojnë në praktikë.

Politikanët tanë shfaqen në publik ithtarë të vlerave perëndimore; në praktikë disa prej veprimeve dhe vendimeve të tyre nuk gjejnë përputhje me këto standarde demokracie. Sjellja e dyzuar, me distancë të madhe midis të folurës dhe praktikës, duhej të ishte tipar i kapërcyer tashmë i tranzicionit, tha Presidenti.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›