Topi: Prokuroria po bën punë të paanshme'
Presidenti Bamir Topi pasi ka uruar të gjithë besimtarët ortodoksë 'Gëzuar festën e Pashkës', nuk ka harruar edhe të komentojë në lidhje me punën e Prokurorisë së Përgjithshme. Veçanërisht ai është fokusuar për debatin e këtyre ditëve të fundit, ku ky institucion ka kërkuar heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, për t'u hetuar për tragjedinë e Gërdecit. Deklarata e tij vjen fill pas vizitës në kishën ortodokse Megjithatë përveç urimit të kësaj feste që kremtohet në shumë vende të botës nga besimtarët ortodoksë, presidenti i Republikës nuk ka harruar të flasë edhe për çështjen e imunitetit të Mediut. Kreu i shtetit tha se 'Prokuroria e Përgjithshme po bën një punë korrekte'. Dhe se kjo punë vërteton paanshmërinë e këtij institucioni. Topi theksoi gjithashtu se Prokuroria nuk është e ndikuar politikisht. Ai bëri thirrje se tani është momenti për të pasur besim në këtë institucion.