Rama në Koplik: Gjenerata e re do ndryshojë politikën
‘Vullnetarët e Bashkimit për Ndryshim’ dhe Edi Rama ishin dje në qytetin e Koplikut. Rama në një takim të zgjeruar u shpreh se është koha për të ndryshuar politikën. Sipas tij, këtë mision mund ta kryejë vetëm gjenerata e re. “‘Shqipëria si Evropa’ është amaneti që ne duhet ta çojmë në vend, pasi politika e ndjekur gjatë këtyre 18 viteve i vrau shpresat e lëvizjes që lindi me këtë moto”, tha Rama. Sipas tij, ne jemi sot këtu për t’iu hapur krahët e dashurisë dhe të mirëkuptimit,të gjithë atyre që njësoj si ne, e duan një Shqipëri si gjithë Evropa. “Ky është amaneti që sot ka ardhur në dorën tonë dhe është koha që gjenerata e jonë ta çojë në vend këtë amanet. Ka ardhur koha që politika e re përkundër politikës së vjetër, që i vrau shpresat lëvizjes së 18 viteve më parë, konsiston në ndërtimin e Shqipërisë, ku shqiptarët të jetojnë me dinjitet, ashtu si bota e qytetëruar”, tha Rama.