Topi: Raporti i Martyt hedh baltë mbi shqiptarët
Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, ka reaguar sot ndaj Projekt-Rezolutës së djeshme të Komisionit të Çështjeve Ligjore dhe të Drejtave të Njeriut të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të përpirluar nga deputeti Dick Marty.
Nëpërmes një deklarate për media, Topi ka theksuar se këto janë akuza të pabazuara në prova konkrete dhe të cilat hedhin baltë mbi Shqipërinë, kombin shqiptar si dhe shtetin e ri shumetnik dhe demokratik të Kosovës, si dhe drejtuesit legjitimë të Kosovës.
“Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, pas shqyrtimit të hollësishëm të Projekt-Rezolutës së djeshme të Komisionit të Çështjeve Ligjore dhe të Drejtave të Njeriut të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, dëshiron të shprehë publikisht qëndrimin zyrtar lidhur me këtë çështje shumë të ndjeshme, jo vetëm për Shqipërinë e Kosovën, por edhe për marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë me vendet e tjera të rajonit dhe mirëqenien e popujve tanë”, thuhet në deklaratën, e cila iu është shpërndarë medieve nga Zyra e Presidentit.
“Duke pasur parasysh këtë Projekt-Rezolutë, që erdhi si rezultat i Raportit të përpiluar nga anëtari i Asamblesë Parlamentare të KiE-së, ish-prokurori Dik Marti, Presidenti i Republikës dënon ashpër të gjitha akuzat e pabazuara në prova konkrete dhe pandehmat e endura me një rrjetë thashethemesh, të cilat duken sikur janë të gatuara në kuzhinën e dalëmode të qarqeve të caktuara ultra-nacionaliste, që për fat të keq vazhdojnë të ekzistojnë në Ballkan – në një territor ku kohë pas kohe zbulohen varreza masive të genocidit të pashembullt të forcave serbe të Millosheviçit dhe ku ende strehohen kriminelë lufte të kërkuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës”.
“Këto akuza fantazmagorike, shumë herë të ngritura edhe më parë e të hetuara, por asnjëherë të vërtetuara, nuk bëjnë gjë tjetër veçse hedhin baltë mbi Shqipërinë, kombin shqiptar si dhe shtetin e ri shumë-etnik dhe demokratik të Kosovës dhe drejtuesit e tij legjitimë, të certifikuar jo vetëm nga qytetarët kosovarë, por edhe nga bashkësia ndërkombëtare. Nga ana tjetër, akuzat dhe tymnaja e rrezikshme që ato po ngrenë, dëmtojnë e kërcënojnë seriozisht jo vetëm imazhin dhe vlerat e vërteta të kombit shqiptar, por edhe paqen e qëndrueshmërinë afatgjatë të rajonit tonë”, është shprehur Topi.
Më tutje, presidenti shqiptar thekson se Institucionet e Shqipërisë kanë qenë gjithmonë bashkëpunuese me institucionet e specializuara ndërkombëtare për të hetuar rreth dyshimeve që ringrihen në Projekt-Rezolutën e përpiluar nga Dik Marti, i cili e ka bërë të njohur botërisht, prej kohësh, pozicionimin e tij kundër pavarësisë së Kosovës.
“Rruga më e mirë për të mbyllur përfundimisht një kapitull të mbushur me akuza të pabazuara, shpifje dhe dashakeqësi, është që të bashkëpunojmë sërish me organet e specializuara të drejtësisë kombëtare dhe ndërkombëtare, edhe pse Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve të Luftës, UNMIKU-u, EULEX-i si dhe prokuroritë e vendeve të ndryshme, sado që kanë hetuar me imtësi në të kaluarën, nuk kanë arritur të gjejnë prova bindëse e të mjaftueshme për të vënë ndokënd para drejtësisë”.
Bamir Topi konsideron se e vërteta e kulluar duhet të dalë e tëra në dritë, ashtu siç ka ndodhur në Kosovën e martirizuar, ku shqiptarët Kosovës kanë ditur të falin, por jo të harrojnë. Kjo në mënyrë që mbi askënd të mos rishfaqen më hijet e dyshimit, si makthe që na rikujtonë periudhën e trazuar të konflikteve dhe genocideve etnike dhe fetare – të cilat rajoni, i projektuar i gjithi drejt botës euro-atlantike, i ka lënë pas një herë e mirë!