Idrizi: Sistem proporcional kombëtar
PDIU do të propozojë një sistem proporcional kombëtar. "Vota nuk ka një karakter universal dhe një valencë njësoj në të gjitha qarqet dhe sigurisht ky është një sistem i padrejtë. Por mbi të gjitha, ne e dimë që ky sistem u bë edhe për të zhdukur, do të thosha, partitë e vogla", - tha dje Idrizi. Për të ndrequr një sistem që ka sjellë bipolarizimin e jetës politike dhe përfitimin që partitë e mëdha nxjerrin nga aleatët e vegjël në koalicion, Shpëtim Idrizi propozon: "Sistemi, i cili është transparent, i barabartë dhe më i thjeshtë në administrim, është një sistem proporcional kombëtar. Në qoftë se kalimi në një sistem proporcional kombëtar kërkon ndryshime kushtetuese dhe është më i vështirë, atëherë ne jemi dakord që të kemi këtë sistem që është, por me një korrektim kombëtar".
Por nuk përfundon këtu. PDIU shkon më tej kur kërkon një KQZ jo partiake dhe një votim elektronik. "Administrimi duhet të jetë civil, jo politik, një KQZ e përbërë jo nga forcat politike, por mbi të gjitha, ne propozojmë që të kemi një sistem elektronik. Në pamundësi të një sistemi elektronik votimi, minimalisht duhet të kemi një sistem elektronik numërimi", - tha Idrizi. Reforma e ardhshme zgjedhore, sipas kreut të PDIU-së duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe jo bipartizane, si deri më sot.