E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Reparti i Gërdecit në zonë të pamenduar

Presidenti theksoi se tragjedi të kësaj natyre nuk mund të kalojnë me një komunikim mediatikTIRANË- Katastrofa njerëzore dhe materiale që shkaktoi shpërthimi i pakontrolluar i depove të municionit të rëndë në fshatin Gërdec pranë Vorës, dy ditë më parë, ka bërë që instancat më larta shtetërore të bëjnë një analizë paraprake në lidhje me shkaqet e saj. Kreu i shtetit, presidenti Bamir Topi, në një dalje të posaçme për mediat, duke u nisur nga pasoja shumë të rënda që solli kjo ngjarje, megjithëse nuk është marrë me emra konkret, nuk ka nguruar të deklarojë se përcaktimi i repartit ushtarak në Gërdec si vend ku bëhej çmontimi i municionit, nuk ka qenë i studiuar siç duhet, duke mos marrë parasysh rrezikun për popullatën civile që jetonte përreth. Sipas tij, reparti ndodhej në një pikë të afërt me një sërë vendesh strategjike siç janë aeroporti i Rinasit, autostrada Tiranë- Durrës, por edhe qyteti i Vorës me fshatrat përreth."Në pamje të parë fakti që jemi edhe në një analizë të tillë na bënë që të vlerësojmë se pozicionimi ka qenë i pamenduar, kuptohet midis Tiranës, Durrësit dhe Rinasit.Gjithsesi kjo është një analizë e përgjithshme që e bej edhe unë dhe e bëni dhe ju, por sigurisht na lejoni që të lejojmë institucionet që të merren me këtë problem, të vlerësojnë dhe këtë moment dhe patjetër që do të ketë një përgjigje", - tha presidenti Bamir Topi. Nga ana tjetër në vijim të bërjes së transparencës së kësaj ngjarje kreu i shtetit ka theksuar vendosmërinë për të bërë një analizë të plotë për të nxjerrë më pas dhe përgjegjësit e saj. I pyetur në lidhje me përgjegjësitë direkte të individëve të veçantë për këtë tragjedi, presidenti është shprehur se shkaqet dhe pasojat e saj do ti nënshtrohen një analize të thellë. "Ne jemi të vendosur për të bërë transparencën e duhur nëpërmjet institucioneve ligjore në mënyrë të nxjerrim mësim që të gjithë të jemi të ndërgjegjshëm që tragjedi të kësaj natyre nuk mund të kalojnë me një komunikim mediatik që po bëjmë me ju", - u shpreh Topi. Për këtë qëllim ai deklaruar se ka vendosur që të thërrasë mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, për të bërë jo vetëm një analizë verbale por edhe një studim të hollësishëm të të gjitha fakteve për të bërë të mundur parandalimin e ngjarjeve të tilla. Ndërkohë që përsa i përket masave për përballimin e situatës së krijuar presidenti ka siguruar banorët e prekur nga kjo katastrofë se qeveria dhe shteti shqiptar do të marrë përsipër kompensimin financiar për të rindërtuar dhe riparuar të gjitha shtëpitë dhe pronat e shkatërruara nga vala e presionit që çliroi shpërthimi i municionit në repartin e Gerdecit. Përsa i përket kondicionimit të mundshëm që mund të ketë kjo ngjarje në marrjen e ftesës nga ana e Shqipërisë për anëtarësim në NATO në samitin e Bukureshtit, kreu i shtetit nisur edhe nga mesazhet e ardhura nga drejtues të lartë të shteteve evropiane dhe institucioneve ndërkombëtare ka shprehur besimin se kjo situatë nuk do të influencojë në këtë proces.ALUIZNI ka nisur të bëjë dhe llogaritjen e plotë të dëmeve materiale të shkaktuara nga shpërthimet.Berisha: Katastrofa, heqim dore nga çmontimiTIRANË- Përsëritja e ngjarjeve të rënda, si ajo para dy ditëve në Gërdec të Vorës (në 2006 një situatë e tillë, por me përmasa më të vogla u krijua dhe në Dhëmblan të Tepelenës), ka detyruar shtetin shqiptar që të tërhiqet nga demontimi i municionit të vjetër që ekziston sot në depo dhe tunelet e shumta të ushtrisë shqiptare. Duke e konsideruar procesin e demontimit të municioneve si tepër të rrezikshëm në radhë të parë për ata që merren me këtë proces, por edhe për popullsinë civile, qeveria shqiptare ka vendosur që të ndryshojë "taktikë" në këtë drejtim. Kreu i qeverisë shqiptare Sali Berisha në përpjekje për të parandaluar përsëritjen e katastrofave të tilla ka deklaruar dje se ushtria shqiptare do të heqë dorë nga çmontimi dhe se do të përdorë praktika të tjera asgjesuese të mbetjeve të vjetra ushtarake. Në vijim të kësaj ai ka theksuar se një variant i mundshëm është ai djegies së hapur apo dhe eksplodimi i tyre në gropa larg zonave të banuara. "Unë mendoj se ne nuk duhet të merremi më me çmontimin e këtij materiali, ka mënyra të tjera, njëra prej të cilave është djegia e hapur, tjetra është eksplodimi. Por edhe këto rrugë kanë rreziqe, sepse kërkojnë transport.Nuk mund t'i eksplodosh dot këto materiale, as t'i djegësh aty ku janë, por duhet të përzgjidhen gropa të thella dhe sa më larg zonave të banuara. Kështu që, ne do të studiojmë, me ekspertë të huaj, këto mundësi", - tha kryeministri Berisha. Kjo ka theksuar kryeministri është një çështje që duhet ti jepet një zgjidhje sa më e shpejtë. Ndërkohë që lidhur masat e ndërmarra për përballimin e situatës kreu i ekzekutivit ka deklaruar se qeveria shqiptare në bashkëpunim dhe me të gjitha institucionet e tjera ka marrë të gjitha vendimet e duhura fillimisht për normalizimin e gjendjes dhe më pas për riparimin e dëmeve të shkaktuara. Në drejtim të realizimit të këtij qëllimi, ai ka zhvilluar dhe një mbledhje me shtabin e emergjencës në Vorë, ku dhe ka kërkuar angazhim të plotë të gjitha strukturave shtetërore për përballimin e situatës. Ai ka siguruar se ALUIZNI, si një agjenci e specializuar, ka nisur të bëj dhe llogaritjen e plotë të dëmeve materiale të shkaktuara nga shpërthimet.Demolimi i municioneve, Berisha mënjanoi Moisiun
TIRANË- Qeveria shqiptare kishte mënjanuar rolin e presidentit të Republikës në mars 2007, kur kishte nënshkruar marrëveshjen për trajtimin e municioneve të armatimeve pas heqjes nga përdorimi. Burime pranë ish-presidentit Alfred Moisiu, i cili ishte edhe komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura dhe kryesonte Këshillin e Sigurisë Kombëtare, deklaruan dje për gazetën "Shekulli" se kabineti Berisha kishte injoruar rolin kushtetues të presidentit të vendit. Në kohën kur është kaluar në qeveri Vendimi i Këshillit të Ministrave, numër 3887, i datës 14 mars 2007, marrëdhëniet mes qeverisë së Partisë Demokratike dhe presidentit ishin shumë të tensionuara dhe nuk kishte fare kontakte institucionale mes kryeministrit dhe kreut të shtetit. Kjo nga ana politike. Nga ana tjetër vendime të tilla të qeverisë, që kanë të bëjnë me sigurinë kombëtare nuk mund të mos kenë edhe miratimin e komandantit të përgjithshëm të Forcave të Armatosura dhe të kryetarit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Sipas mandatit që i jep Kushtetuta e Shqipërisë, në kreun e dytë të saj thuhet se: "Presidenti i Republikës është Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe gëzon autoritetin e plotë të komandimit e të drejtimit të Forcave të Armatosura. Ndër detyrat dhe përgjegjësitë e tij është miratimi i planit të veprimeve të Forcave të Armatosura në kohë paqeje". Por përveç injorimit kushtetues të rolit të presidentit të vendit, qeveria për arsye të qëllimshme shmangu edhe konsultimet me presidentin, i cilikishte një karriere shumëvjeçare si drejtues në armën e xhenios.Rama viziton të plagosurit e ndodhur në spitalRama: Me qetësi të nxjerrim përgjegjësitë TIRANË- Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama shoqëruar dhe nga deputetë socialistë, ka vijuar dhe dje që të qëndrojë pranë të prekurve nga katastrofa e shpërthimeve në Gërdec. Që në orët e para të ditës së djeshme kreu socialist ka vizituar dhe një herë të plagosurit në Spitalin Ushtarak në kryeqytet. Pasi ka vizituar, pavion më pavion të plagosurit, të cilët ende gjenden të shtruar në këtë spital, Kryetari i Partisë Socialiste Rama ka shprehur falenderime për ekipin e mjekëve, infermierëve, forcat e xhenios, ushtarë e forca policore të angazhuara në përballimin e kësaj situate. "Besoj është rasti për të falenderuar nga zemra të gjithë ata djem nënash, policë, ushtarë që u angazhuan dje, dhe vazhdojnë të jenë të angazhuar, forca të xhenios për mënyrën sesi i dolën përballë kësaj katastrofe, e cila pa dyshim është një katastrofë me përmasa të jashtëzakonshme", - tha Rama pas vizitës në spital. Megjithëse është munduar që ti shmanget interpretimit politik të shkaqeve të kësaj ngjarje, kreu i selisë rozë ka kërkuar që organet kompetente të nxjerrin përgjegjësit për këtë tragjedi. "Janë orë për maturi dhe qetësi. Por, nga ana tjetër është një katastrofë për të cilën do të na duhet të fokusohemi, dhe me qetësi e drejtësi të nxjerrim të gjitha përgjegjësitë. Ndërkohë, në respekt të atyre qindra, familjeve që sot janë të pastrehë dhe që sot kërkojnë ende njerëz të humbur, të atyre fëmijëve, grave që janë të traumatizuar duhet të mbetemi me kaq dhe të mos shtyhemi më tej, pasi ditët në vijim do të na japin të gjitha mundësitë për të bërë detyrën edhe në funksion të zbardhjes së kësaj tragjedie, për të cilën uroj që Prokuroria të ketë filluar dhe ajo të bëjë detyrën e saj, si strukturat e tjera që përmenda", - tha Rama. Ndërkohë gjatë ditës së djeshme Rama ka vizituar edhe të mbijetuarit e tragjedisë së Gërdecit në konvalishencat e mbrojtjes dhe të rendit, në Durrës.
Mediu: "MEICO" lidhi kontratë me "SAC"
TIRANË- Ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu është shprehur i gatshëm të marrë çdo përgjegjësi që do të nxjerrin organet hetimore në lidhje me ngjarjen e ndodhur në fshatin Gërdec pranë Vorës. Megjithatë ai e ka konsideruar debatin për përgjegjësinë e shkaktimit të kësaj tragjedie si të parakohshëm, pasi, sipas tij, është momenti që të gjitha instancat shtetërore të merren me përballimin e situatës së rënduar të krijuar në zonën rreth vatrës së shpërthimit në Gërdec. "Po merrem me punën për të qetësuar situatën sëbashku me strukturat e tjera në mënyrë që të vendosim të paktën kontrollin në zonë dhe të shpëtojmë sa të jetë e mundur dhe të pastrojmë zonën nga predhat. Koha për të vërtetuar përgjegjësitë e gjithësecilit është përpara dhe unë kam korajon dhe moralin për të përcaktuar përgjegjësitë e mija", - tha ministri Fatmir Mediu. Në lidhje me debatin për kontratën e lidhur për demontimin e municioneve, ministri ka bërë të ditur se Ministria që ai drejton dhe ndërmarrja shtetërore "MEIKO" që funksionon pranë kësaj ministrie për çështjet e import-eksportit kanë kontraktuar vetëm kompaninë amerikane "Southern Ammunition Company". "Ministria e Mbrojtjes, drejtoria e MEIKO e cila merret me eksport-importin edhe me këtë proces kanë një kontratë të vetme dhe kjo është kontrata me kompaninë amerikane. Çështjet e kontratës së kompanisë amerikane janë marrëdhënie e tyre private. Sesi duhet të kontrollohet kjo marrëdhënie është çështje tjetër", tha Ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu duke garantuar vendosmërinë e tij për ti shkuar deri në fund zbardhjes së gjithë kësaj ngjarje.Topalli viziton të  plagosurit në spital TIRANË- Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli ka ndjekur dje nga afër situatën e të lënduarve nga katastrofa e gërdecit. Ajo ka bërë një vizitë në Spitalin Ushtarak të Tiranës, për të parë gjendjen e të plagosurve nga shpërthimi i një dite më pare. Topalli është interesuar pranë mjekëve në lidhje me gjendjen shëndetësore të plagosurve, duke diskutuar në lidhje me nevojat dhe gjendjen e medikamenteve të domosdoshme për kurimin e tyre. Gjithashtu kryeparlamentarja ka takuar dhe familjare të të lënduarve duke i uruar atyre shërim të shpejtë të të afërme dhe duke u dhënë kurajo për të përballuar dhimbjen. "Përgëzoj dhe falënderoj ekipin e mjekëve të Spitalit Ushtarak për gatishmërinë e tyre. Të menaxhosh një situatë të tillë në mënyrë kaq të veçantë është një meritë e jashtëzakonshme e tyre. Në spital kanë ardhur 169 të lënduar të shkallëve të ndryshme që po trajtohen këtu, ndërsa disa janë nisur për kurim të mëtejshëm 5 të plagosur në Greqi dhe 4 të tjerë në Itali. Është diçka e jashtëzakonshme që, pa i bërë asnjë thirrje, të gjithë mjekët kanë ardhur për të qenë të gatshëm në këtë tragjedi, për t'i shërbyer të gjithë atyre që kishin nevojë", tha Topalli.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›