Vdekja e gruas shtatzënë teksa kërkonte të birin
Liljana Deliu dëgjoi shpërthimin e parë por u kthye që të merrte djalin 3-vjeç. Trupi gjendet në mesditë mes rrënojaveTIRANË- Shpërthimi i depove që ndodheshin vetëm 100 metra larg banesës së tij i shoi familjen. Sa hap e mbyll sytë Uran Deliu ka parë banesën e tij të kthehej në gërmadhe. Ai ndodhej në oborrdhe po punonte tokën mesditën e së shtunës, kur shpërthimi i fuqishëm i depove në fshatin Gërdec i rrënoi familjen dhe bashkë me të edhe shtëpinë. Bashkëshortja e tij, Liljana Deliu 23-vjeçe, dhe i vëllai Jetmir Deliu 21-vjeç, u gjetën të vdekur disa orë pas ngjarjes. Sapo ka marrë veten nga shpërthimi, Uran Deliu ka nisur të kërkojë djalin e tij të vetëm Flavion tre vjeç, i cili ende nuk është gjetur. Trupi i Liljanës, e cila ishte edhe shtatzëne u gjet nën gërmadhat e shtëpisë. Aty u gjet dhe trupi i pa jetë i kunatit të saj, Jetmir Deliut. Viktimat u transportuan në morgun e spitalit ku kanë qëndruar deri në orët e vona të pasdites. Pasi ka kryer identifikimin e bashkëshortes dhe të vëllait në morgun e spitali, Uran Deliu përcolli drejt Italisë prindërit e tij, të cilët mbetën të plagosur rëndë nga shpërthimit. Më pas ai iu është rikthyer spitaleve për të kërkuar djalin i tij Flavion e vogël. Megjithatë janë të pakta shpresat se Flavio mund të jetë ndihmuar nga ekipet e kërkim-shpëtimit, apo banorët e zonës dhe është dërguar në spital.Tragjedia e familjes Deliu Banesa dykatëshe e familjes Deliu ndodhet rreth 100 metra larg depove që shpërthyen, duke pasur dhe pasoja të rënda. Mesditën e së shtunës ku ndodhi katastrofa, Uran Deliu po punonte tokën, ndërsa bashkëshortja, djali dhe vëllai i tij ndodheshin në shtëpi. Sapo kanë ndjerë shpërthimin e parë që tundi shtëpinë e tyre, Lindita është ngjitur në katin e dytë të shtëpisë për të gjetur djalin trevjeçar, por shpërthimi i dytë që pasoi pas pesë minutash shkatërroi të gjithë shtëpinë duke i shkaktuar dhe vdekjen gruas së re shtatzëne. Fuqia e shpërthimit i mori jetën edhe Jetmirit, ndërsa nuk dihet ende fati i Flavios trevjeçar. Urani u përplas nga shpërthimi por nuk pati dëmtime të rënda shëndetësore. Sapo mori veten ai nisi kërkimet për gjetjen e familjarëve të tij.KërkimetPrindërit e Uran Deliut mbetën të plagosur rëndë. Nëna e tij punonte, në çmontimin e municioneve por në momentin e shpërthimit ndodhej jashtë depos. Disa orë më vonë Urani mësoi vdekjen e bashkëshortes dhe vëllait të tij, ndërsa djali nuk gjendej. Dikush në spital i kishte thënë se një infermiere ishte parë me një palë doreza të zeza në duar të cilat ia kishte lënë një i plagosur. Djali i tij Flavio merrte gjithmonë dorezat e tij të punës dhe luante me to. Fakti se Flavio mund të ketë qenë duke luajtur me dorezat në momentin e tragjedisë, ka ngjallur shpresat e Urani sapo ka dëgjuar për një palë doreza që kishte gjetur një infermiere e Spitalit Ushtarak. Por pas kontrollit që ka ushtruar në këtë spital Deliu nuk ka mundur ta gjejë djalin. Me të zbardhur dita e djeshme, Urani ka shkuar në banesën e tij në Gërdec për të kërkuar nën gërmadha djalin e tij, por nuk është lejuar nga policia e cila e ka shpallur të rrezikshme atë zonë. Tashmë Uran Deliu, duhet të përcjellë për në banesën e fundit bashkëshorten dhe vëllanë e tij. I duhet të kujdeset për shëndetin e prindërve të tij që mësohet se janë gjymtuar nga kjo ngjarje. I duhet të kërkojë djalin e vetëm, Flavion 3-vjeç. E më pas të rindërtojë shtëpinë. Për Uran Deliun kjo është një tragjedi brenda tragjedisë së Gërdecit.Dhjetëra familjarë presin me ankth në morg mbërritjen e trupave. Mes tyre luten që të mos jetë njeri i njohurMorgu, stacioni i fundit i tragjedisëTIRANË- Në morgun e spitalit "Nënë Tereza" janë mbledhur dje ku kanë qëndruar me orë të tëra me dhjetëra njerëz, banorë të fshatit Gërdec dhe zonave përreth. Sapo ka zbardhur dita, banorët e Gërdecit kanë mbërritur në morg për të verifikuar nëse trupat e pajetë të personave që u gjetën dje i përkisnin familjarëve të tyre të zhdukur. Rruga nga morgu te pavijoni i djegies, në Qendrën Spitalore "Nënë Tereza" është bërë me dhjetëra herë nga disa banorë të Gërdecit të cilët, sa interesoheshin për shëndetin e familjarëve të plagosur, rendnin te morgu për të mësuar nëse kishte mbërritur ndonjë kufomë por me shpresën se nuk do të ishte familjari i tyre i zhdukur. Pranë morgut të spitalit qëndronin të afërmit e familjes Deliu, e cila ka humbur dy pjesëtare, një fëmijë të zhdukur dhe kanë mbetur të plagosur dy persona. "Presim të marrim trupin e pa jetë të Liljanës dhe kunatit të saj Jetmir Deliu" shprehet për "Shekullin" Gëzim Murati i afërm i kësaj familjeje. "Nuk e dimë akoma se ku do të varrosen trupat. Megjithatë po mendohet që ceremonia mortore të kryhet në kombinat të disa të afërm dhe Liljana e kunati i saj, Jetmiri, të prehen në varrezat e Sharrës në periferi të Tiranës. Nuk mund të shkojmë në Gërdec, atje familja Deliu nuk ka më shtëpi ajo është rrënuar tërësisht" shton më tej Murati. Sipas tij, bashkëshorti i Liljanës, Uran Deliu, ka kërkuar përgjatë gjithë natës duke u gdhirë dita e djeshme djalin e tij. Madje disa burra u nisën në Gërdec në banesën e tij për të kërkuar nën gërmadha për Flavion 3-vjeçar por nuk janë lejuar nga policia. Prindërit e Uranit u transportuan në Itali për mjekime më të specializuar pasi kanë marrë plagë të rënda. "Në fisin tonë mund të kenë vdekur shtatë persona. Dimë që edhe një e afërmja jonë e cila punonte në çmontimin e municioneve në depo nuk është gjetur dhe bashkëshorti i saj po e kërkon. Po presim nëse trupi i saj gjendet dhe mbërrin në morg" vazhdon më tej Gëzim Murati i cili ka pasur shumë të lënduar në radhët e familjarëve të tij. Ndërkohë që banorët e Gërdecit që gjendeshin dje në morg shprehen se rezultojnë shumë persona të zhdukur punëtorë në çmontimin e predhave në depot që shpërthyen. Por deri në orët e vona të mbrëmjes mjekësia ligjore, ka zyrtarizuar mbërritjen e nëntë kufomave në morgun e spitalit "Nënë Tereza" duke bërë të njohur dhe emrat e moshat e tyre. K. Kotorri
Të vdekuritJetmir Ballazhi, 19-vjeçMuhamet Hoxha, 59-vjeçRajmonda Durda, 40-vjeçeBesim Cango, 57 vjeçRoland Alla, 20 vjeçHysen Cani52 vjeçLiljana Deliu 23 vjeçeJetmir Deliu 21 vjeç Reshit Kruja37 vjeçe