E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Rezultati i zgjedhjeve? Të fitojë më i forti

Presidenti i përgjigjet edhe kërkesës për termocentral bërthamor."Duhet referendum"


TIRANË- Edhe pse ish-Nënkryetar i Partisë Demokratike, për Presidentin e Republikës, Bamir Topi, tanimë ka rëndësi vetëm zhvillimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.


I pyetur nga gazeta kroate "Veçernji List", se a priste ndryshime në zgjedhjet e 28 Qershorit, nisur edhe nga pozicioni i tij i mëparshëm politik, Presidenti i Republikës u shpreh se kush është më i forti, do të fitojë.


"Nuk mund të futem në parashikime, sepse para zgjedhjes në funksionin e Presidentit të Republikës, isha nënkryetar i Partisë Demokratike, dhe pas zgjedhjes në funksionin aktual kam ndërprerë aktivitetet e mia partiake. Me rëndësi është që këto zgjedhje të jenë të lira, korrekte dhe të forcojnë demokracinë në Shqipëri.


Kush është më i fortë, le të fitojë",- tha ai. Kreu i shtetit theksoi se situata politike në Shqipëri është e qëndrueshme. "Partitë politike momentalisht po zhvillojnë fushatën. Kemi një ligj të ri zgjedhor, i cili inauguron sistemin proporcional dhe mendojmë se do të jetë mirë.


Zgjedhjet janë sigurisht tema kryesore, por është gjë e mirë që u bëmë vend i NATO-s dhe kemi aplikuar për vend kandidat në BE", - tha ai.


I pyetur për kërkesat e vazhdueshme të BE-së lidhur me luftën kundër korrupsionit, kriminalitetit apo reformat, Presidenti Topi u shpreh se po punohet intensivisht për zgjidhjen e të gjitha problemeve.


"Jemi shumë të suksesshëm në luftën kundër kriminalitetit, ndërsa në fushën e gjyqësorit rezultatet janë gjithnjë e më të mira. Jemi të gatshëm të luftojmë kundër korrupsionit, por në disa nivele ende kemi korrupsion", -shtoi ai.


Lidhur me idenë e fundit të shprehur nga kryeministri Sali Berisha për ndërtimin e një termocentrali bërthamor me Kroacinë, Presidenti Topi u përgjigj se nuk ka asnjë lëvizje konkrete, porse nëse është e nevojshme vendimi mund të merret edhe me referendum.


"Nuk ka asgjë konkrete. Kjo është një temë e hapur, e cila njëkohësisht është edhe shumë e ndjeshme për publikun e të dy vendeve. Nuk mund të themi se është temë tabu, por gjithsesi kur flitet për të duhet të jemi transparentë. Nëse është e nevojshme, vendimi mund të merret edhe me referendum",- tha ai.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›