E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi-Sanninos: Klasa politike do dijë të reflektojë për integrimin

TIRANE- Presidenti Bamir Topi ka pritur sot në një takim Drejtorin e Përgjithshëm të Zgjerimit në Komisionin Europian, Stefano Sannino. Biseda mes tyre sic njofton zyra e Presidencës, u përqendrua kryesisht në situatën aktuale politike dhe institucionale në vendin tonë.
Presidenti Topi ka vlerësuar kontributin që Sannino ka dhënë që Shqipëria të kapërcejë ngërcin politik dhe është shprehur se politika shqiptarë do të dijë të kapërcejë pengesat e deritanishme për integrimin.

“Klasa politike shqiptare, edhe pse është ende e përfshirë në vorbullën e debatit dhe retorikës politike për çështje të ditës, i ka lexuar tashmë qartë mesazhet e Brukselit lidhur me përparimin integrues evropian të Shqipërisë dhe reformat e domosdoshme në këtë drejtim. Pavarësisht vështirësive për gjetjen e rrugëve të një bashkëpunimi konkret dhe të menjëhershëm, përmes edhe vendosjes së urave të përbashkëta të komunikimit dhe dialogut institucional, klasa politike shqiptare do të dijë të reflektojë dhe të vendosë si përparësi të agjendës së saj politike interesat madhore të qytetarëve shqiptarë”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Sipas Kreut të shtetit mosmarrëveshjet politike nuk duhet të vënë në pikëpyetje aspiratat e populli shqiptar për t’ju bashkuar BE-së.
“E ardhmja evropiane e shqiptarëve dhe përmbushja e aspiratës së këtij populli për të qenë pjesë e familjes evropiane nuk duhet të vihet më në pikëpyetje nga mosmarrëveshjet e brendshme politike”, citohet të ketë thënë Topi.

Nga ana e tij, Drejtori i Përgjithshëm i Zgjerimit të BE-së, shprehu mirënjohjen për këtë takim me Presidenti Topi, duke vlerësuar veçanërisht rolin institucional e kushtetues të Kreut të Shtetit shqiptar në administrimin e situatës politike dhe institucionale aktuale, si dhe mesazhet e qarta dhe korrekte publike të bëra prej tij. I pranishëm në takim ishte edhe Kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Etore Sequi.
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›