E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkup, Berisha: Maqedonasit në Shqipëri do shkollohen në gjuhën e tyre

TIRANE - Kryeministri Berisha nisi një vizitë zyrtare në Maqedoni. Kreu i qeverise zhvilloi ditën e mërkurë takime zyrtare me kryeministrin e Maqedonisë Nikolla Gruevskin,  kryetarin e Partisë Demokratike Shqiptare të Maqedonisë, Menduh Thaçi, me kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti dhe me Kryetarin e LSDM-së, Branko Crvenkovski .

BERISHA.GRUEVSKI: MAQEDONASIT NË SHQIPËRI DO SHKOLLOHEN NË GJUHEN E TYRE
Kryeminisitri i Shqipërisë Sali Berisha gjatë vizitës së tij në Maqedoni në mesditë u takua me homoogun e tij Nikolla Gruevski. Zyra e kryministrisë, e cila zbardh takimin midis dy personaleiteteve të larta bën me dije se në këtë takim u vlerësua marrëdhënia e fqinjësisë së mirë.

Kryeministri Gruevski vlerësoi mbështetjen që qeveria shqiptare po i jep Maqedonisë në procesin e integrimit të saj në NATO, duke shprehur dëshirën që Shqipëria të realizojë me sukses projektin e integrimit të plotë të vendit në BE.

Dy kryeministrat shprehën nevojën për krijimin e lehtësirave doganore dhe heqjes se barrierave burokratike për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe të mallrave, duke vendosur regjimin doganor që aplikohet nga vendet anëtare të Bashkimit Europian.

“Së shpejti do të fillojë kalimi i kufirit vetëm me letërnjoftim. Të dy vendet po investojnë në lidhje të reja dhe fuqizimin e lidhjeve ekzistuese infrastrukturore. Në një hark kohor dyvjeçar, distanca midis Shkupit dhe Tiranës do të shkurtohet në njërin aks, atë Shkup-Dibër-Tiranë, me 103 kilometra, në aksin tjetër Shkup-Strugë-Tiranë së paku me një orë. Një lidhje e tretë ndërkombëtare po ndodh. Ne po ndërtojmë dhe Kryeministri vizitoi dy-tre javë më parë komunën e Trebishtit, një aks kombëtar që do të shndërrohet në aks ndërkombëtar, pasi jemi vetëm 7 kilometra nga kufiri me Maqedoninë”,- nënvizoi Berisha.

Shefi i qeverisë shqiptare u ndal edhe në zgjidhjen sa më parë të merit të Maqedonisë me Greqinë, ndërkohë sa i takon Kosovës Berisha u shpreh “Këto propozime e sugjerime janë që të gjitha të nxjerra apo nxirren nga arkiva e Sllobodan Millosheviçit. Duhet t’ju kujtoj këtu se në fillim të viteve ’90, mesazherë nga më të ndryshmit qarkullonin me harta në xhep për ndarje të Kosovës dhe jo vetëm të Kosovës. Por të gjitha ato u provuan si absurditete. Respektimi i kufijve aktualë të Kosovës është interesi jetik më i mirë, absolutisht, i të gjitha vendeve të këtij rajoni, që nuk duan të përdorin gjyzlykët e kasapit të Ballkanit për rajonin e të ardhmen e tij”,- theksoi Berisha.

Duke i’u përgjigjur interesit të gazetarëve sa i takon minoritetit maqedonas në Shqipëri, kryeministri berisha shprehu besimin se do respektohen, dhe do ketë cdo të drejtë si qytetarë të lirë të Shqipëriasë.

“Dua t’ju siguroj se maqedonasit dhe çdo qytetar i Shqipërisë ka pasur, ka dhe do të ketë të drejtë të pamohueshme për t’u shkolluar në gjuhën që do. Vendi ka standardet më të mira, sipas dokumenteve ndërkombëtare të arsimimit të pakicave”,- theksoi kryeministri berisha.

BERISHA-CRVENKOVSKI: MARRËDHËNIET SHQIPËRI-MAQEDONI SHUMË TË MIRA
Kryeministri Berisha, në vijim të takimeve të zhvilluara sot në Maqedoni, u takua me Kryetarin e LSDM-së, Branko Crvenkovski.

Zyra e shtypit e Qeverisë bëri të ditur se zoti Crvenkovski vlerësoi gjatë takimit marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve, Shqipërisë dhe Maqedonisë, duke theksuar se ekziston mundësia për forcimin e tyre të mëtejshëm. Në këtë kontekst, zoti Crvenkovski u shpreh se forca politike e drejtuar prej tij i konsideronte shumë të rëndësishme këto marrëdhënie.
Nga ana e tij, Kryeministri Berisha vlerësoi rolin e partisë Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Maqedonisë dhe theksoi se këto marrëdhënie janë të destinuara që të jenë shumë të mira, pavarësisht krahut politik që qeveris të dy vendet. Kryeministri Berisha u shpreh se kjo vizitë ka si qëllim, zgjerimin dhe thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve në fusha me interes të përbashkët.
Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha theksoi rëndësinë e forcimit të lidhjeve infrastrukturore mes dy vendeve, heqjen e barrierave burokratike si dhe krijimin e një hapësire ekonomike mes vendeve të rajonit.
Gjatë takimit, u diskutua ndër të tjera për proceset integruese që po kalojnë të dy vendet, ku theksi u vu tek nevoja e një qëndrimi mbështetës dhe jo bllokues i të gjithë spektrit politik, në favor të reformave që mundësojnë integrimin.
Kryetari i LSDM, Branko Crvenkovski, u shpreh se pavarësisht se forca që ai udhëheq është në opozitë, ajo mbështet çdo reformë që synon integrimin e Maqedonisë në NATO dhe në BE. 

BERISHA TAKOHET ME KRYETARIN E PDSH-SË SË MAQEDONISË, MENDUH THAÇI
"Shqipëria e konsideron shumë të rëndësishëm bashkëpunimin në të gjitha fushat me Republikën e Maqedonisë", tha sot Kryeministri Sali Berisha, pas takimit të zhvilluar në Shkup me kryetarin e Partisë Demokratike Shqiptare të Maqedonisë, Menduh Thaçi.
Zyra e shtypit e qeverisë bëri të ditur se gjatë këtij takimi Kryeministri Berisha dhe kryetari i PDSH të Maqedonisë, Menduh Thaçi, biseduan mbi bashkëpunimin e gjithanshëm midis dy vendeve, popujve e shoqërive të dy vendeve.
Në përfundim të takimit Kryeministri Berisha, gjatë një prononcimi për mediat, shprehu vlerësimin për Menduh Thaçin dhe partinë që ai drejton, për kontributin thelbësor në rrjedhën dhe zhvillimet në Republikën e Maqedonisë.
"Kam vlerësuar shumë marrëveshjen e firmosur para zgjedhjeve, si një dëshmi e një maturiteti të thellë demokratik, qëndrimin konstruktiv të zotit Thaçi e të partisë që ai udhëheq, në mbështetje të të gjitha proceseve integruese, avokatinë që kjo parti, si parti opozitare, u bën në parlamentin e Maqedonisë dhe më gjerë në institucione të tjera, lirive dhe të drejtave të shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë", tha Kryeministri Berisha.
Ai u shpreh se "ne diskutuam për bashkëpunimin e gjithanshëm midis dy vendeve tona, të cilin zoti Thaçi e partia e tij e mbështesin fuqishëm".

Nga ana e tij, Menduh Thaçi, tha se "qasja e Shqipërisë është miqësore ndaj Maqedonisë, por në të njëjtën kohë është edhe një qasje e përkujdesjes ndaj të drejtave të shqiptarëve këtu. Unë e sigurova Kryeministrin se partia jonë do të japë kontribut maksimal konstruktiv në rrugën e integrimeve drejt NATO-s dhe Bashkimi Europian, por në të njëjtën kohë nuk do të lëshojmë pe e pandërprerë do të mbrojmë të drejtat e shqiptarëve".
"Ligjërisht ne këtë punë e kemi se jemi opozitë e shqiptarëve këtu. Sigurisht, në të ardhmen bashkëpunimi do të jetë më i madh dhe duhet të kuptohet se Shqipëria mund të jetë vetëm aleati i Maqedonisë dhe asnjëherë kundërshtar. Të gjitha këto vizita, të gjitha këto deklarata e veprime politike, janë mirëdashëse, të dalim prej kësaj situate dhe të dalim prej kësaj ngecjeje, drejt procesit integrues", tha kryetari i PDSH-së së Maqedonisë, Menduh Thaçi.

SHKUP, BERISHA TAKON AHMETIN: ARRITJET E SHQIPTARËVE, TË RËNDËSISHME
Kryeministri Berisha zhvilloi një takim në Shkup me kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti. Zyra e shtypit e qeverisë bëri të ditur se gjatë këtij takimi u diskutua gjerësisht për intensifikimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në të gjitha fushat, si dhe për realizimin e një sërë projekteve të përbashkëta, të cilat do të afrojnë më shumë të dy vendet dhe shoqëritë, si dhe do të nxisin shkëmbimet e gjithanshme.

Berisha dhe Ahmeti diskutuan edhe në lidhje me bashkërendimin e bashkëpunimit në kuadër të festimeve të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.
"Ramë dakord për të bashkërenduar bashkëpunimin në mënyrë që viti i ardhshëm, si viti i pavarësisë së Shqipërisë të jetë një vit i të gjithë shqiptarëve dhe miqve të tyre kudo në botë", tha Berisha.

Kryeministri Berisha konsideroi si të rëndësishme arritjet e shqiptarëve të Maqedonisë në fushën e përdorimit të gjuhës dhe të flamurit.

Shefi i qeverisë theksoi se “Marrëveshja e Ohrit është jashtëzakonisht e rëndësishme për paqen dhe stabilitetin e Maqedonisë mike, është një proces që e ka bërë këtë vend më të lirë, më të drejtë dhe ka hedhura bazat për një bashkëjetesë në liri midis etnive që jetojnë në Maqedoni".

Kryetar i i BDI-së në takim me Kryeministrin Berisha kërkoi më shumë hapësirë dhe kontakte, për sa i takon fushave të arsimit. Ahmeti shprehu kënaqësinë që shqiptarët e Maqedonisë "do të jenë pjesë e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë dhe ditës së flamurit kombëtar shqiptar , si ditë e veçantë që ne shqiptarët jashtë kufijve shtetërore”.

BERISHA NË MAQEDONI, PRITEN TAKIME ME KRERËT E SHTETIT

Ora- 09:00 Kryeministri Berisha nisi një vizitë zyrtare në Maqedoni. Kryeministri Berisha do të zhvillojë një takim me kryeministrin Gruevski, ku me pas është parashikuar një konferencë e përbashkët shtypi.

Gjatë takimit me homologun e tij Maqedonas, kreu i qeverisë shqiptare pritet të ngrejë shqetësimet e shqiptarëve lidhur me bllokimin e proceseve euroatlantike, diskriminimin në disa fusha dhe projektet monoetnike dhe monofetare.

Me tej, kryeministri Berisha do të zhvillojë takime të veçanta me presidentin e Maqedonisë, Ivanov, kryetarin e Parlamentit, kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti, liderin e PDSH-së, Menduh Thaçi dhe kryetarin e LSDM-së, Branko Cervenkovski.

Në axhendën e kryeministrit Berisha përfshihet gjithashtu një vizitë në Tetovë si edhe takimi me kreun e komunës zoti Sadi Bexheti dhe drejtues të tjerë lokalë.

(da.bo/er.nu/e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›