Topi: ShBA është aleati ynë më i madh

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i ka shprehur Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhorxh W. Bush, mirënjohjen e popullit shqiptar me rastin e nënshkrimit të Protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut. "Nënshkrimi nga ana Juaj e Protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, i mbështetur unanimisht nga Senati i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, rikonfirmoi besimin se vendi juaj mbetet aleati më i madh dhe i besueshëm i Shqipërisë", thuhet në mesazhin e mirënjohjes së Presidentit Topi. Zyra e shtypit pranë Presidencës bëri të ditur se, Kreu i shtetit, në mesazhin e mirënjohjes për Presidentin Bush, shpreh bindjen se "vendimi juaj inkurajon proceset demokratike në Shqipëri e në të njëjtën kohë forcon vullnetin e popullit tim për të ndërtuar një shtet të së drejtës, të lirisë dhe të respektit ndërinstitucional, nje shtet të aftë për përballuar me sukses sfidat që e ardhmja i rezervon". "Më lejoni që, në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, t’Ju shpreh mirënjohjen dhe falënderimet më të përzemërta për mbështetjen e vazhdueshme e të gjithanshme që i jepni Shqipërisë dhe popullit shqiptar", thuhet në mesazhin e Presidentit Topi për Presidentin e SHBA, Xhorxh W Bush. ...