E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Shqipëria e angazhuar për të arritur standardet e BE-së

Autori i Lajmit: Redaksia
Presidenti i Republikës, Bamir Topi mori pjesë dje në Forumin e Krans Montanës që po mbahet në Paris të Francës me temë “Bota pas G-20-s, qeverisja globale dhe lufta kundër krimit transnacional”. Në seancën e djeshme plenare të drejtuar nga Kryetari dhe themeluesi i Forumit të Krans Montanës, Zhan Pol Karteron, Presidenti i Republikës mbajti fjalën e rastit si i ftuar special në këtë Forum të rëndësishëm ekonomik. Gjatë fjalës së tij ai theksoi se Shqipëria dënon kategorikisht të gjitha veprimet e terrorizmit, si kriminale dhe të pajustifikueshme, pavarësisht nga motivimi i tyre, format dhe manifestimi. Topi ka shtuar se si vend anëtar i NATO-s dhe aspirues për anëtarësim në Bashkimin Evropian, vendi ynë u është bashkuar të gjitha përpjekjeve e luftës të vendeve demokratike duke u bërë pjesë edhe e strategjive dhe veprimeve parandaluese ndaj atyre që sponsorizojnë, organizojnë ose kryejnë akte terroriste. Ndër të tjera, gjatë fjalës së tij, Topi ka pohuar faktin se Shqipëria, Ballkani, Evropa Juglindore kanë një pozitë gjeografike lakmuese për tranzitimin e linjave ndërkombëtare të trafikimit të paligjshëm dhe të krimit të organizuar. Porse sipas tij, Shqipëria është në pritje të statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe e angazhuar në përmbushjen e standardeve demokratike, pjesë e rëndësishme e të cilave është edhe lufta kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe krimit ekonomik. “Masat që ajo ka marrë në këtë drejtim synojnë përafrimin e legjislacionit me BE, vënien në zbatim të detyrimeve të Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër korrupsionit, ndryshimet në Kodin Civil për ta përshtatur me standardet e Konventës Civile të Këshillit të Evropës”,- tha më pas ai.
Duke shtuar se të ndërgjegjshëm se ky fenomen është rajonal dhe global, Shqipëria e ka shtrirë bashkëpunimin me vendet e Evropës Juglindore në shumë drejtime. “Shekulli i XXI mund të quhet pa dyshim, shekulli i teknologjisë së lartë, i komunikimit të shpejtë dhe i distancave të shkurtuara. Por ai do të quhet shekulli i njerëzimit, në se qeveritë dhe vendet demokratike do të bashkojnë mundësitë, energjitë dhe strategjitë jo vetëm për të goditur fenomenet e krimit transnacional, por edhe për të asgjësuar rrënjët dhe burimet e tij të vërteta”, përfundoi fjalën e tij presidenti Topi në forumin e Krans Montanës.

Ky lajm është publikuar: 13/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›