Topi: Të behët evidentimi i drejtë i të gjitha dëmeve të shkaktuara
15/01/2010 Presidenti i Republikës viziton zonat e përmbytura në Shkodër së bashku me ambasadorët
Uidhers, Lohan dhe Montobio garantojnë vazhdimin e ndihmave për të prekurit
Përveç përkrahjes morale presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka garantuar dje banorët që iu përmbytën shtëpitë nga shirat e shumtë edhe për përkrahjen financiare të shtetit. I shoqëruar edhe nga përfaqësuesit diplomatikë të SHBA-ve, Xhon Uithers, KE-së Helmut Lohan dhe Spanjës Montobio de Balanse, kreu i shtetit inspektoi zonat e përmbytura në qarkun e Shkodrës. Në fjalën e katër vizitorëve nuk mungoi përveç mirënjohjes për përballimin e situatës as mbështetja për rehabilitimin e gjendjes.
Shteti shqiptar
Numri një i shtetit shqiptar, në shoqërinë edhe të ministrit të Mbrojtjes Arben Imami, shefit të Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralbrigade Maksim Malaj, zhvilluan një takim me autoritetet vendore të komunës Ana e Malit në praninë e tre ambasadorëve. Në përfundim ata janë ndalur, kanë takuar e dëgjuar nga afër e me vëmendje shqetësimet e banorëve, banesat dhe pasuria e së cilëve është përmbytur, duke u shprehur atyre solidaritetin e plotë dhe mbështetjen e pakursyer njerëzore dhe institucionale në këtë moment tejet të vështirë për ta. Ai shprehu besimin se zona do t’i kthehet normalitetit me ndihmën e strukturave të shtetit dhe u bëri thirrje të gjithëve që të vazhdojnë bashkëpunimin. “Duhet të ketë një evidentim të qartë të të gjitha dëmeve që kanë ardhur nga kjo situatë. Strukturat qendrore dhe strukturat e pushtetit vendor të bëjnë të mundur që gjithçka të kompensohet dhe jam i bindur se, sikurse është premtuar, të ketë një kompensim real, të drejtë, mbi bazën e një gjykimi profesional dhe të gjithë pastaj t’i kthehen jetës normale”, - theksoi Topi në fjalën e tij. Ai garantoi riaktivizimin e projekteve, të cilat ndoshta kanë mbetur pa u realizuar. “Kjo është një dalje së bashku me partnerët tanë për të bërë të mundur që investime të fuqishme të ketë në perspektivë për këtë zonë, e cila është në kufi me Malin e Zi, dhe për të riaktivizuar disa projekte, sikurse ka qenë një projekt ‘Inter-reg’ ku Shqipëria, Mali i Zi dhe Bashkimi Evropian të realizojnë jo vetëm thellimin e Bunës, por të realizojnë një bonifikim të rëndësishëm, substancial të kësaj zone”, - tha Presidenti. Pjesën e parë të fjalimit ai ua kushtoi falënderimeve, në radhë të parë banorët e zonave të përmbytura, të cilët kanë ditur me mjaft maturi, durim dhe shumë fisnikëri të përballojnë këtë situatë dhe strukturat e shtetit, forcat e ushtrisë, të policisë, të gjithë qytetarët, të gjitha shoqatat që kanë demonstruar solidaritet.
Mbështetja e ndërkombëtarëve
Ambasadori amerikan Uidhers deklaroi për përkushtimin me të cilin shteti amerikan i ka bashkëngjitur kësaj situate. “Shteti amerikan në të vërtetë është përqendruar në këtë situatë dhe nesër do të bëjmë me dije fazën e parë të asistencës, që ne dëshirojmë të ofrojmë, e cila do të pasohet pastaj me fazën tjetër që është rikuperimi dhe rehabilitimi i njerëzve që të mund t’i rikthehen jetës normale”, - tha ambasadori i SHBA-ve. Ai u shpreh i impresionuar me mënyrën se si banorët e kanë përballuar këtë situatë dhe i përgëzoi për të gjitha aftësitë e tyre për të rikuperuar gjithçka. Të njëjtën mbështetje dhe solidaritet ndaj qytetarëve që kanë vuajtur për shkak të efekteve të kësaj përmbytjeje ka deklaruar edhe kreu i delegacionit të KE-së, Lohan. “Bashkimi Evropian ka pasur mundësinë që të shprehë në mënyrë të qartë e të shpejtë solidaritetin, duke dërguar këtu ekipin e ekspertëve, të cilët janë duke ndihmuar autoritetet shqiptare për të parë të gjithë nevojat që kanë, si dhe në pritjen dhe në shpërndarjen e të gjithë të mirave për të cilat ka nevojë komuniteti”, - u shpreh ambasadori i KE-së. Ai garantoi se solidariteti i Bashkimit Evropian nuk përfundon këtu. “Ne do vazhdojmë ta dëshmojmë të gjithë solidaritetin e Bashkimit Evropian dhe gjatë fazës së dytë, që është rikuperimi dhe rehabilitimi i zonës. Dhe shpresoj që kjo fazë e dytë të vijë shpejt, në mënyrë që të përfundohet faza e parë e emergjencës”, - tha ai. Në përfundim të vizitës së tij të punës Presidenti Topi së bashku me tre ambasadorët u ndal dhe vizitoi lagjen “Ajasmë” të Shkodrës.