Topi: Të dëmshpërblehen banorët e pallatit në Gjirokastër

Presidenti i Republikës me anë të një deklarate për shtyp u shpreh se po ndjek me një shqetësim të veçantë grevën e urisë së banorëve të pallatit të shembur para disa javësh në Gjirokastër, të cilët janë ngujuar në këtë grevë, pasi prej kaq kohësh nuk po gjejnë zgjidhjen e plotë dhe përfundimtare që u është premtuar për sistemim dhe dëmshpërblim si pasojë e një tragjedie, e cila nuk ndodhi për shkakun e tyre. Sipas kësaj deklarate Presidenti i Republikës inkurajon strukturat e qeverisë dhe të pushtetit vendor, që të realizojnë sa më shpejt të jetë e mundur sistemimin e këtyre familjeve, të cilat kanë të drejtën legjitime për dëmshpërblim dhe për t'u sistemuar në kushte normale. Gjithashtu Presidenti i Republikës inkurajon edhe një herë vazhdimin e punës së institucioneve përkatëse për zbulimin sa më shpejt të përgjegjësve të kësaj tragjedie dhe ndëshkimin e tyre ligjor.