E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Turqia, partnere e rëndësishme e Shqipërisë

Nga Express më 14 prill 2011 në ora 12:18

Turqia ka qenë dhe mbetet një partner i rëndësishëm strategjik i Shqipërisë, në rajon e më gjerë, prandaj forcimi, zgjerimi dhe thellimi i pandalshëm i marrëdhënieve të shkëlqyera me Turqinë mike e aleate në NATO, në kushtet e reja të angazhimeve të përbashkëta të sigurisë, paqes dhe të zhvillimit ekonomik, mbetet një nga prioritetet e rëndësishme të politikës së jashtme të shtetit shqiptar.

Me këto fjalë u shpreh presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, gjatë punimeve të Forumit të 14-të Ekonomik Euroaziatik, organizuar nga Fondacioni “Marmara” në Turqi.

Ai shtoi se marrëdhëniet shumë të mira midis Shqipërisë dhe Turqisë, në bazë të të cilave qëndron miqësia dhe lidhjet tradicionale e kulturore midis dy popujve tanë, janë forcuar e zhvilluar në vijimësi, në fusha shumëplanëshe, sa politiko-diplomatike, aq edhe ekonomike e investuese.

“Shqiptarët brenda dhe jashtë Shqipërisë kanë gjetur gjithmonë te shteti, qeveria dhe populli turk një mik të madh e të sinqertë, që i është gjendur gjithmonë pranë, në situata të vështira dhe në momente historike të popullit dhe të kombit shqiptar, si në rastet e fatkeqësive natyrore, ashtu dhe të situatave politike, në veçanti të njohjes së Pavarësisë së Kosovës, si edhe në mbështetjen e proceseve integruese euroatlantike”, tha Topi.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›