Gjykon edhe pse i pezulluar, Sopjani ia "fut" FSHF-së
Në Shqipëri ndodhin nga të gjitha. Një gjyqtar i pezulluar deri në fund të sezonit, mund të gjykojë ndeshje në kampionatin e të rinjve, madje pa dijeninë e drejtuesve të federatës. Protagonisti në këtë rast është sërish arbitri Mentor Sopjani. Gjyqtari, i cili u dhunua në ndeshjen Tërbuni-Kastrioti disa javë më parë, është pezulluar nga FSHF-ja deri në fund të sezonit, për shkak të asaj që ndodhi. Megjithatë, ai ka vazhduar të arbitrojë, këtë herë në kampionatin e të rinjve. Përgjegjësi i sektorit të garave në FSHF, Ilir Shulku, ka thënë se nuk ka qenë në dijeni të faktit që Sopjani vazhdonte të gjykonte ndeshje dhe për këtë ka fajësuar kryetarin e kolegjiumit të Durrësit, që ka caktuar arbitrin në fjalë të drejtonte ndeshjen Apolonia-Partizani, e cila ka degraduar në grushte dhe sërish protagonist i ngjarjes ka qenë Sopjani. Edhe këtë herë ai nuk ka mundur t'i shpëtojë dhunës, madje ka qenë objektivi kryesor i prindërve të të rinjve, të cilët nuk kanë ngurruar të ushtrojnë ta keqtrajtojnë Sopjanin. "Jam vënë në dijeni të gjykimit të Mentor Sopjanit vetëm në ditën e ndeshjes së djeshme, Apolonia-Partizani. Nuk e kam besuar si fakt, por kjo ka qenë e vërtetë dhe këtë nuk mund ta mohoj. Kampionati i të rinjve funksionon në bazë të kolegjiumeve të gjyqtarëve në rrethe. Emërimin e këtyre gjyqtarëve ua kemi lënë në dorë kolegjiumeve në të gjitha rrethet, me qëllim që të promovojnë gjyqtarët e rinj. Më konkretisht, kryetari i kolegjiumit të Durrësit, Eduard Miho, ka caktuar në këtë ndeshje Mentor Sopjanin, pa dijeninë tonë. Ndërkaq, për ne ky gjyqtar është i pezulluar deri në fund të kampionatit dhe një vendim për rikthimin e tij, nëse do të vazhdojë të arbitrojë ose jo, e merr Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së, para fillimit të sezonit tjetër. Më vjen keq për këtë dhe do të përpiqemi që t'iu bëjmë me dije të gjithë kolegjiumeve që të jenë më të saktë në emërimet që bëjnë", ka thënë Shulku për "Panorama". Në ndeshjen Apolonia-Partizani për U-19, është goditur gjyqtari Mentor Sopjani. Në fushë, loja ka qenë disi e tensionuar dhe gjithçka ka degraduar në minutën e 63-të, ku një pjesë tifozësh të pranishëm, u futën në fushë. Si rrjedhojë ndeshja u ndërpre dhe nuk rifilloi.