E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi-Vujanoviç: Të rriten marrëdhëniet dypalëshe

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dhe Presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviç, theksuan dje, në një takim në Qipro, në kuadrin e aktivitetit ndërkombëtar mbi "Qytetërimin e paqes: besime dhe kultura në dialog", se nëpërmjet bashkëpunimit të gjithanshëm, vendet e Ballkanit do ta kenë të sigurt të ardhmen e tyre në strukturat euroatlantike. Zyra e shtypit pranë Presidencës bëri të ditur se në takim, të dy Presidentët vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve fqinjë, duke vënë theksin në nevojën e rritjes së shkëmbimeve tregtare dhe ekonomike dhe duke u shprehur se vetëm nëpërmjet zhvillimit ekonomik, zhvillimit të infrastrukturës dhe bashkëpunimit të gjithanshëm, të gjitha vendet e Ballkanit do ta kenë të sigurt të ardhmen e tyre në strukturat euroatlantike. Presidenti Topi i shprehu mirënjohjen Presidentit Vujanoviç për pozicionin e qartë të Malit të Zi në lidhje me Kosovën dhe njohjen e pavarësisë së saj, duke nënvizuar faktin se siç e tregon edhe kjo konferencë, "misioni ynë i përbashkët është forcimi i dialogut dhe bashkëpunimit mes vendeve dhe popujve tanë". Edhe Presidenti Vujanoviç ndau të njëjtën pikëpamje për sa i përket intensifikimit të marrëdhënieve të bashkëpunimit, sidomos atij ekonomik, duke u shprehur i gatshëm që të thellohen edhe më tej marrëdhëniet institucionale, meqë vullneti politik ekziston dhe po rritet gjithnjë e më shumë, duke bërë që rajoni ynë të orientohet drejt integrimit në familjen e madhe evropiane. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ishte planifikuar që të zhvillonte një vizitë zyrtare në Malin e Zi pak kohë më parë, por kjo vizitë u shty, për shkak të protestave të popullsisë serbe kundër njohjes së Kosovës nga Podgorica zyrtare. Kreu i shtetit shqiptar mësohet se vizitën e planifikuar do ta zhvillojë në shtetin fqinj, në fund të vitit. Ndërkohë, së shpejti pritet që Kryeministri malazez, Milo Gjukanoviç, të vizitojë Tiranën



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›