E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uithers, takime të veçanta me Berishën dhe Ramën

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhon Uithers, ka zhvilluar dje takime të veçanta me Kryeministrin Sali Berisha, si dhe me liderin e opozitës, Edi Rama. Nga burime pranë selisë rozë dhe asaj të Kryeministrisë, mësohet se dje, kryediplomati i Uashingtonit në Tiranë, ka zhvilluar bisedime konsultuese me dy protagonistët e politikës shqiptare për çështjet më kryesore të vendit, ku Kodi Zgjedhor, mbetet tema e ditës.

Berisha

Në momentin kulmor të politikës, kur PD-PS janë në sprovën e madhe të miratimit të Kodit të ri Zgjedhor, LSI dhe PDK janë ngujuar në grevë urie me qëllim kundërshtimin e këtij Kodi, ambasadori amerikan në Tiranë, Xhon Uithers është takuar dje paradite me Kryeministrin Sali Berisha. Qëllimi i takimit mësohet të ketë qenë reforma zgjedhore. Ndërkaq, në një njoftim të shkurtër zyrtar, zyra e shtypit e Këshillit të Ministrave ka pohuar takimin, duke e shoqëruar me një deklaratë të thatë në të cilin thuhet: "Kryeministri Berisha priti sot (dje) paradite në një takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Xhon Uithers. Gjatë këtij takimi, ambasadori amerikan e njohu Kryeministrin Berisha me situatën e re post-zgjedhore në SHBA dhe me prioritetet e pritshme të administratës së re të Presidentit Obama. Kryeministri Berisha vlerësoi se zgjedhjet në SHBA janë një ngjarje e shënuar dhe një çast historik për popullin dhe kombin e madh amerikan, por edhe për mbarë njerëzimin që gjen te SHBA modelin më të shkëlqyer dhe garantuesin më të madh të lirisë dhe vlerave të saj. Kryeministri nënvizoi se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë qenë dhe mbeten prioriteti më kryesor i qeverisë së tij. Kryeministri Berisha u shpreh se pret me kënaqësi të bashkëpunojë ngushtë me Presidentin Barak Obama dhe me administratën e re të SHBA-ve".

Rama

Pas takimit me Berishën, ambasadori i SHBA-së në Shqipëri, Xhon Uithers, ka zhvilluar një seancë bisedimesh edhe me liderin e opozitës shqiptare, Edi Rama. Takimi me kreun e selisë rozë është zhvilluar kokë më kokë, në ambientet e njërit prej hoteleve kryesore në kryeqytet. Burime jozyrtare theksuan se takimi mes Ramës dhe kreut të selisë diplomatike amerikane në Tiranë është përqendruar te situata më e fundit politike në vend, që ka lidhje me Kodin Zgjedhor. Të pyetur nga mediat para takimit, si ambasadori amerikan, Uithers, dhe kreu i PS-së, Edi Rama, nuk kanë pranuar të bëjnë komentet e tyre për situatën politike, ku dhjetë deputetë qëndrojnë të ngujuar në një grevë urie në ambientet e Kuvendit në përpjekje për të qenë dhe forcat që ato përfaqësojnë pjesë e komisioneve zgjedhore. Takimi Uithers-Rama u zhvillua menjëherë pas promovimit në Tiranë të librit të Presidentit të ri amerikan, Barak Obama, "Guximi për të shpresuar".

Promovimi

Ambasadori perifrazon Obamën:

Duhet guxim për të shpresuar

"‘Po, ti mundesh‘ është mesazhi më i rëndësishëm i librit ‘Guximi për të shpresuar‘ i Barak Obamës", u shpreh ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Xhon Uithers, në promovimin e tij, që u zhvillua dje në një aktivitet të organizuar nga botuesit dhe bashkëpunëtorët që e bënë të mundur përkthimin në gjuhën shqipe. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, ambasadori Uithers nënvizoi se "libri i Obamës është një vepër që lexohet lehtë, por ajo ka një kuptim të thellë, pasi lidhet me tema shumë të vështira për shoqërinë amerikane, si çështjet e racave, të politikës gjinore, Kushtetutës, etj., për të cilat ne në SHBA e kemi të vështirë të flasim. Por, ndërsa lexova këtë libër, ndjeva se Obama po më fliste drejtpërsëdrejti mua dhe po më drejtonte një sfidë: "Ti mund t‘ia dalësh". Zoti Uithers theksoi se mësimet e këtij libri nuk kanë zbatim vetëm në SHBA ose vetëm për amerikanët, por ato i përkasin të gjithë atyre njerëzve, që janë të përkushtuar ndaj lirisë e demokracisë dhe dëshirojnë të ushqejnë e përmirësojnë jetën e tyre. "Një nga gjërat që unë dëgjoj shpesh, qëkurse kam ardhur në Shqipëri është se, ‘ti mund të besosh se je amerikan nga SHBA, por këto gjëra nuk mund të ndodhin në Shqipëri, se ne nuk jemi të përgatitur për atë nivel të lirive individuale dhe parimeve demokratike që ekzistojnë në vende të tjera. Por, ajo që unë ju them sot është: Lexojeni këtë libër të Obamës se ‘Po, mund t‘ia dilni‘", deklaroi ambasadori Uithers në fjalën e tij përshëndetëse. "Nëse je një afro-amerikan, t‘i mundesh që të zgjasësh dorën e miqësisë ndaj atyre që janë të bardhë ose nëse je një amerikan i bardhë mundesh të zgjasësh dorën e miqësisë drejt atyre që janë afro-amerikanë. Dhe Obama arriti ta provojë këtë gjë, duke arritur të fitojë mbi 60 milionë vota të qytetarëve të SHBA-së, që vinin nga çdo racë, nga çdo lloj besimi fetar e nga çdo lloj përkatësie, duke u bërë vetë, i pari President afro-amerikan i SHBA-së", u shpreh ambasadori amerikan në Tiranë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›