Punonjësit e gjendjes civile trajnohen për regjistrim themeltar
Një grup prej 24 punonjësish të gjendjes civile i janë nënshtruar një trajnimi 4-ditor, në kuadër të projektit të kompjuterizimit të regjistrit kombëtar të gjendjes civile. Të 24 punonjësit do të trajnohen për hedhjen dhe përdorimin e të dhënave në sistemin elektronik dhe më pas do të shpërndahen në grupe në 12 prefekturat e vendit, për ta përcjellë përvojën e tyre për kolegët e tyre në rrethe. Në takimin e organizuar dje me këtë rast, në mjediset e Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile në Tiranë ishin të pranishëm zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinant Pone, drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Armand Teliti, Frenk Nan, drejtues i misionit teknik të asistencës së OSBE-së për projektin e modernizimit të gjendjes civile, përfaqësues të Ministrisë së Brendshme të Austrisë, që ndihmuan për implementimin e software-ve të regjistrit kombëtar të gjendjes civile, etj. Zëvendësministri Pone vuri në dukje se, për here të parë në Shqipëri, do të vihet në punë regjistri kombëtar i gjendjes civile, mbi bazën e një sistemi kompleks, një sistem me standarde të larta kompjuterike, sigurie. Ai theksoi ndër të tjera se regjistri i gjendjes civile është garanci institucionale për listat e zgjedhësve. Pas zbatimit me sukses të software norvegjez, për printimin e certifikatave, tashmë do të nisim zbatimin e këtij projekti të ri, u shpreh zëvendësministri Pone, duke kërkuar nga punonjësit e përfshirë në këtë trajnim që të mos e neglizhojnë atë. Regjistri kombëtar i gjendjes civile tashmë po bëhet realitet për Shqipërinë, me krijimin e një software, i cili lidh të gjitha zyrat e gjendjes civile në Shqipëri, me krijimin e një baze të dhënash të konsoliduara.