“Kodi Zgjedhor të përmirësohet në bazë të rekomandimeve të viteve 2009 e 2011”
Deputeti i PD-së Jemin Gjana, nuk e sheh të nevojshme ndryshimin e Kushtetutës
Ende pa nisur tryeza e reformës zgjedhore, Partia Demokratike rrëzon pretendimin e socialistëve që zgjedhjet në Shqipëri të administrohen nga të huajt. Deputeti i PD-së, Jemin Gjana thotë se axhenda e reformës elektorale duhet të marrë parasysh rekomandimet e OSBE/ODIHR-it për vitin 2009 dhe 2011.
“Unë nuk besoj se Shqipëria që mund ta lërë administrimin e zgjedhjeve në duart e të huajve. Të huajt janë për të monitoruar dhe për të vëzhguar. Lidhur me Kodin Zgjedhor mendoj se rekomandimet e vitit 2009 dhe rekomandimet e vitit 2011 duhet të bëjnë bazën thelbësore për ndryshimet në kodin elektoral”, tha Gjana.
Referuar polemikave të shumta se ndryshimi i Kodit Zgjedhor kërkon rrjedhimisht edhe ndryshimin e Kushtetutës, Gjana thotë se për këtë ka specifika të qarta të cilat nuk lidhen me njëra-tjetrën. Lidhur me formulën e KQZ-së, demokratët thonë se nuk do të pranojnë që opozita të ketë postin e kreut të këtij institucioni.
“Asgjë nuk është e padiskutueshme, por kam bindjen se nuk është e lehtë dhe askush nuk mund të jap receta paraprake se si duhet të jetë formati i KQZ, por është një pikë debati e thellë, e vështirë, jo e lehtë sepse palët nuk duhet të mendojnë se do të mund të ndërtojnë komision për të bllokuar gjithë procedurat e zgjedhjeve dhe të nxjerrjes së rezultatit”, u shpreh Gjana.
Deputeti Gjana flet edhe për letrën e sekretarit të përgjithshëm të Këshillit të Europës drejtuar Komisionit të Venecias për zgjedhjet në Tiranë dhe kodin e ri elektoral.
“Zgjedhjet e Tiranës janë tashmë të certifikuara. Komisioni i Venecias mund të japë rekomandime bazuar në monitorimin që i është bërë zgjedhjeve edhe të 2009 edhe të 2011. Mund të japë rekomandime të cilat mund të bëhen pjesë e diskutimit të komisionit që do të ngrihet për reformën zgjedhore. Nuk është Komisioni i Venecias një organ vendimmarrës që të ndryshojë rezultatin”, tha deputeti i PD-së Jemin Gjana.
Mazhoranca është treguar e gatshme në këtë pikë për t’i shtrirë dorën e bashkëpunimit opozitës vetëm për zbatimin e rekomandimeve të ODIHR-it për zgjedhjet e 2009 dhe 2011. Kompromiset e reja mes dy subjekteve politike priten të ndryshojnë konjukturat e draftit final që do i paraprijë mbledhjes së tryezës së reformës zgjedhore.