“Admirojmë zhvillimin e madh të Shqipërisë, rritjen ekonomike të saj e prekëm nga afër”

Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, falënderon Presidentin e Hondurasit Porfirio Lobo Sosa, për qëndrimet ndaj Kosovës
Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli gjatë takimit të zhvilluar dje me Presidentin e Hondurasit, Porfirio Lobo Sosa deklaroi se vizita e tij në Shqipëri është një mundësi shumë e mirë për të çuar përpara marrëveshje të rëndësishme politike dhe ekonomike dypalëshe.
“Ky qëndrim. theksoi ajo, është një kontribut i madh për paqen dhe stabilitetin”.
Kryeparlamentarja Topalli shprehu interesin e saj për intensifikimin e marrëdhënieve parlamentare mes dy vendeve.
“Unë besoj në diplomacinë parlamentare dhe në rëndësinë e kontaktit njerëzor. Të prekësh realitetin, të njohësh vendet, njerëzit është shumë e rëndësishme”, theksoi Topalli.
Nga ana e tij, Presidenti Sosa tha se zhvillimi i shpejtë i Shqipërisë na ka treguar se pavarësisht vështirësive, mund të arrihet një rritje ekonomike, të cilën siç u shpreh ai, “e prekëm nga afër”.
“Ne e admirojmë zhvillimin e madh që ka pasur Shqipëria së fundmi, e cila ka dëshmuar se pavarësisht vështirësive, mund të arrihet një rritje ekonomike qe ne e prekëm nga afër”, tha dje Presidenti i Hondurasit, Porfirio Lobo Sosa, në takimin me Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli.
Presidenti i Hondurasit e njohu Kryetaren e Kuvendit me projektin e bashkimit të vendeve të Amerikës Qendrore, iniciativë të cilën, ajo e vlerësoi si një projekt shumë të rëndësishëm politik.
Duke falënderuar Kryetaren e Kuvendit për këtë pritje ai tha se, “ju konsiderojmë jo vetëm si Kryetare të Parlamentit të Shqipërisë, por si një Kryetare e Parlamentit të të gjithë shqiptarëve”.
Kryetarja e Kuvendit falënderoi Presidentin Sosa për qëndrimin e tij dhe të vendit të tij për njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Nga ana e tij, Presidenti i Hondurasit tha se, “edhe pse vendet tona janë larg, ato ndajnë parime të njëjta”.
Për sa i përket Kosovës ai theksoi se, “çdo njeri, popull apo komb ka të drejtën të jetë i lire. Vizita jonë në Kosovë dhe në Shqipëri është një rikonfirmim i qëndrimit tonë që Kosova ka të drejtën të jetë e lirë dhe sovrane. Ndajmë të njëjtat ideale dhe vlera dhe do jemi përkrah Kosovës”, tha ai.
Në takim ishte i pranishëm edhe Zëvendëskryeministri i Kosovës Behgjet Pacolli.