Mediu dhe Ndoka: Pollo pranoi dështimin
Zogaj: Rikthim i Pollos nuk sjell vota në 2009-ën
Shkrirja e PDR-së me PD-në trazon të djathtën
Rikthimi i Genc Pollos në PD trazon të djathtën. Deputetët e PD-së e quajnë si një rikthim me efekt psikologjik dhe jo me efekt elektoral, kurse aleatët si një dështim të z. Pollo në tentativë për të drejtuar një forcë politike. Demokrati Preç Zogaj ka bindjen e plotë se shkrirja e dy partive të djathta nuk do të jetë përcaktuese për fitoren e PD-së në 2009-ën. Por sipas tij, është një ribashkim që ka të bëjë më shumë me aspektin psikologjik. '' Ky proces nuk mund të trajtohet si kartë fituese e PD-së në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2009, kartat fituese për PD-në janë realizimi i premtimeve elektorale, për të motivuar zgjedhësit në përgjithësi dhe ata demokratë në veçanti'', - tha z. Zogaj. Ai vuri në dukje se kartat e fitores për PD-në janë të tjera. Në këtë rast deputeti i PD-së përmend ato që kanë të bëjnë me realizimin e premtimeve elektorale. “Sigurisht, - shprehet Zogaj, - që në PD kthimet, bashkimet kanë pasur karakteristika të ndryshme. Ka pasur edhe kthime që kanë sjellë edhe vota. Ka kthime që janë të rëndësishme në një plan psikologjik. Nuk mund ta trajtojmë si një lëvizje që përbën kartën fituese të zgjedhjeve se do ishte një tejkalim i madh i së vërtetës”, - u shpreh Preç Zogaj.
Mediu dhe Ndoka:
Aleatët e PD-së e shohin nga këndvështrime të ndryshme ribashkimin e Genc Pollos me PD-në. Për demokristianin Nard Ndoka, i cili më herët ka qenë nënkryetar i PDR-së, lëvizja e Pollos lë për të dëshiruar për sa i përket identitetit politik. Sipas tij, ky është një dështim i z. Pollo dhe pamundësi për të drejtuar një forcë politike. "Do ta quaja si një dështim të Pollos në radhë të parë, për faktin që asgjë nuk ka ndryshuar tek PD-ja, pra janë në të njëjtat kuota demokratizimi të jetës së brendshme. Pollo doli nga dera e kongresit duke u përjashtuar, duke u anatemuar nga z. Berisha, duke i vendosur epitete nga më të ndryshmet për disa vite të pamerituara sipas gjykimit tim dhe rikthehet pa mbledhur asnjë strukturë të PDR-së", - theksoi z. Ndoka. Kurse kryetari i PR-së, Fatmir Mediu, beson se shkrirja e PDR-së është një zgjedhje personale e Pollos. Ai mohon faktin se PR-ja mund të ndërmarrë një nismë të ngjashme. "PR-ja është një parti me identitet të qartë politik, ndryshe nga partitë e tjera. Ajo ka diferencat e veta programore me PD-në dhe partitë e tjera, gjë që nuk e ka penguar të krijojë aleanca dhe në këto aleanca kemi pasur vlerësime të përbashkëta, punë të përbashkëta, suksese të përbashkëta, ashtu dhe përgjegjësi për të ardhmen", - deklaroi z. Fatmir Mediu.