E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi bojkoton samitin në Novi Sad, nuk u ftua Presidenti i Kosovës



Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka bojkotuar pjesëmarrjen në një samit të krerëve të shteteve të Europës Juglindore që do të zhvillohet në Novi Sad të Serbisë. Megjithëse ka qenë i ftuar të marrë pjesë në këtë samit që do të zhvillohet në datat 18 dhe 20 qershor, mësohet që presidenti Bamir Topi ka refuzuar ftesën për shkak se në samitin në fjalë nuk është ftuar të marrë pjesë presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu. Në këtë samit do të diskutohet për politikat ekonomike, energjetike të rajonit. Në samit do të marrin pjesë presidenti austriak, presidenti bullgar, ai kroat, moldav, çek, maqedonas, italian, slloven, sllovak, ukrainas dhe presidenti boshnjak. Presidenti Topi, në disa takime me liderë të vendeve të Europës Juglindore, veçanërisht me krerët e shteteve të Ballkanit, ka vënë theksin në domosdoshmërinë e pranisë së përfaqësuesve të lartë të shtetit të ri të pavarur të Kosovës. Topi ka theksuar se prania e Kosovës në të tilla aktivitete i shërben stabilitetit dhe paqes në rajonin e Ballkanit.

17 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›