E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Zgjedhjet e 8 majit nuk shtyhen

15/02/2011  Presidenti 30 minuta kokë më kokë me ambasadorin e OSBE në Tiranë

Volfart: Partitë të nisin diskutimet për zgjedhjet

Nuk do të ketë shtyrje të datës së zhvillimit të garës së ardhshme politike për komuna dhe bashki, që do të mbahet më 8 maj të këtij viti. Ky është përfundimi i nxjerrë pas konsultimit të Presidentit të Republikës Bamir Topi me ambasadorin e OSBE-së në Tiranë. “Askush nuk duhet të ketë iluzione për shtyrjen e mundshme të zgjedhjeve lokale. Ato do të zhvillohen në datën e dekretuar, pra më 8 maj”, - është mesazhi i Presidentit Topi drejtuar partive politike pas takimit këshillues të paradites së djeshme me ambasadorin e OSBE-së Eugen Volfart. Në njoftimin zyrtar të Presidencës bëhet me dije se, duke theksuar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në vend është ndalur te rëndësia e këtyre zgjedhjeve, si një domosdoshmëri për sa i përket ripërtëritjes së përfaqësuesve të organeve drejtuese të pushtetit vendor. Të njëjtin qëndrim me kreun e shtetit është shprehur edhe ambasadori i OSBE-së, i cili në fjalën e tij ka nënvizuar domosdoshmërinë që faktorët politikë shqiptarë të mos humbin kohë dhe të përgatisin së bashku zgjedhjet vendore. Nga ana tjetër, kreu i shtetit ka shprehur qëndrimin e tij të palëkundur për mbajtjen e zgjedhjeve të ardhshme vendore, të dekretuara sipas afateve kushtetuese më 8 maj 2011. Gjithashtu Topi u bëri apel partive politike që të angazhohen maksimalisht në mbarëvajtjen e këtyre zgjedhjeve, duke i marrë ato me seriozitet. Gjatë takimit prej 30 minutash me kreun e OSBE-së Topi nënvizoi faktin se ka qenë dhe vazhdon të mbetet në sintoni të plotë edhe me apelet e vazhdueshme të faktorit ndërkombëtar që partitë politike në vend të marrin të gjitha masat e duhura dhe të plotësojnë detyrimet kushtetuese dhe ligjore për mbajtjen e suksesshme të këtyre zgjedhjeve. “Vazhdimi i axhendës integruese evropiane të Shqipërisë si dhe përmbushja e suksesshme e projekteve madhore që ka ndërmarrë vendi ynë shtrojnë si domosdoshmëri që këto zgjedhje të mbahen në afatin e përcaktuar ligjor, që infrastruktura zgjedhore të jetë plotësisht e ndërtuar dhe funksionuese, që të jenë të lira, të ndershme e të drejta, duke mos humbur më kohë të vyer, siç ishte tejkalimi i afatit të 8 shkurtit për emërimin e komisionerëve të KZAZ-ve, sepse askush nuk duhet të ketë iluzione për shtyrjen e mundshme të tyre”, - theksoi dje Presidenti. Kërkesa për këtë takim, që u zhvillua në ambientet e Presidencës gjatë paradites së djeshme, erdhi pas thirrjeve të vazhdueshme të ndërkombëtarëve si dhe të vetë kreut të OSBE-së në Tiranë, Volfart, për zhvillimin e zgjedhjeve në datën e dekretuar, madje ndërkombëtarët e kanë vlerësuar antikushtetuese çdo përpjekje për bllokim e tyre.

Reagimi i OSBE-së, Volfart: Asnjë iluzion se do të shtyhen

Kryetari i Prezencës së OSBE-së në vendin tonë, Eugen Volfart, i cili u shpreh në unison të plotë me qëndrimin e Presidentit të Republikës pas takimit të zhvilluar me këtë të fundit në zyrën e tij, u shpreh i gatshëm për të dhënë gjithë ndihmën e institucionit që ai drejton për të mbështetur përgatitjet e nevojshme për zgjedhjet e qeverisjes vendore të 8 majit. “Qytetarët shqiptarë do të mund të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar më 8 maj 2011, në datën e dekretuar nga President i Republikës. Dita e zgjedhjeve po afrohet me shpejtësi, koha po kalon”, - u shpreh ambasadori Volfart. Gjithashtu ambasadori Volfart nënvizoi domosdoshmërinë që faktorët politikë shqiptarë të përgatitin së bashku zgjedhjet vendore për të mos humbur më kohë, në mënyrë që qytetarët shqiptarë të gëzojnë frytet e standardeve demokratike. “Për këtë arsye u bëj sërish thirrje të gjitha partive politike të njohin detyrimet e tyre ligjore dhe të respektojnë të drejtën e qytetarëve shqiptarë për të votuar. Unë i nxis ato parti politike që deri tani nuk kanë dhënë kontributin e tyre për përgatitjet e ndershme dhe transparente duke mos propozuar komisionerë, ta bëjnë këtë pa humbur më kohë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të mbështetet nga afër në detyrën e tij për të caktuar të gjithë anëtarët e komisioneve në të 66 zonat e administrimit zgjedhor. Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mbetet e gatshme të mbështesë Shqipërinë edhe në këto zgjedhje demokratike.” Ambasadori Volfart ka këmbëngulur për zhvillimin e zgjedhjeve në 8 maj, duke e konsideruar si joligjore çdo përpjekje për bllokimin e tyre.

KQZ plotëson vendet vakante në KZAZ-të

Vonesat e shkaktuara nga Partia Socialiste dhe Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, të cilat akoma nuk kanë dorëzuar propozimet e tyre për plotësimin e listave të komisioneve zonale të administrimit të zgjedhjeve në afatin e caktuar ligjor, e kanë detyruar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të bëjë ndërhyrje për të plotësuar vendet vakante në 66 KZAZ. Ndërkaq KQZ-ja ka emëruar gjysmën e anëtarëve të KZAZ-ve, ndërsa gjysma tjetër kanë mbetur vakant, pasi Partia Socialiste nuk ka dorëzuar listat e saj. Konstituimi i KZAZ-ve pritet të bëhet në fund të kësaj jave, kohë kjo që korrespondon me ultimatumin e së shtunës, ku KQZ-ja u dha dhe një javë afat PS-së dhe PBDNJ-së për të dorëzuar listat e komisionerëve të KZAZ-ve. Në përfundim të këtij afati KQZ-ja pritet të miratojë vendimin për plotësimin e vendeve vakante në këto komisione të nivelit të dytë për zgjedhjet vendore të 8 majit. KQZ-ja do të mblidhet për të ndërhyrë në mbarëvajtjen e organizimit të garës së ardhshme politike për bashkitë e komunat, pasi PS-ja dhe PBDNJ-ja kanë shkelur afatin e caktuar ligjor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›