E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Fitorja po merr trajtë në të gjithë vendin

Kandidati i mazhorancës për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha theksoi se do të respektojë procesin e numërimit deri në fund, si dhe rezultatin që do të dalë prej saj

Kandidati i mazhorancës për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, deklaroi dje në mesditë se fitorja po merr trajtë në të gjithë qytetin. Në një deklarim të shkurtër për mediat, në selinë e Partisë Demokratike, Basha theksoi se do të respektojë procesin e numërimit deri në fund, si dhe rezultatin që do të dalë prej saj. “Dua ta nis këtë deklaratë me një falenderim. Dua të falenderoj përzemërsisht të gjithë komisionerët, vëzhguesit, numëruesit që vazhduan punën gjatë gjithë natës të mbrëmshme dhe gjatë mëngjesit të sotëm, për numërimin e drejtë e transparent të çdo vote, për të siguruar një proces numërimi të saktë dhe pa vonesa. Kanë mbetur akoma shumë vota për tu numëruar. Unë jam i vendosur që zëri i këtyre qytetarëve të dëgjohet dhe që këto vota të numërohen me qetësi, saktësi dhe transparencë. Eshtë e rëndësishme që të gjitha palët të sigurojnë që procesi i numërimit të vazhdojë të ecë përpara, pa pengesa dhe vonesa”, - tha dje Basha. Kandidati i mazhorancës për kryeqytetin theksoi se, ky proces është i rëndësishëm, që të vazhdojë të jetë i tillë, “një proces me të cilin Tirana dhe qytetarët e saj të krenohen para syve të mbarë botës”. “Ndërsa duket se fitorja e shumëpritur po merr trajtë, anë e mbanë qytetit tonë, dua të përsëris vendosmërinë time për të respektuar procesin e numërimit deri në votën e fundit të çdo qytetari të Tiranës, dhe rezultatin e dalë prej saj”, - tha dje Basha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›