Moti i ftohtë, bllohen disa akse në vend

Rreshjet e dëborës kanë mbuluar të gjithë territorin e Shqipërisë, duke bllokuar akset kryesore, ndërsa shumë komuna në zonat malore kanë mbetur të izoluara prej tre ditësh.
Rreshjet e dëborës që kanë rënë gjatë natës së mbrëmshme kanë bllokuar shumë rrugë, si në verilindje të vendit, ashtu edhe në jug të saj. Në qarkun e Dibrës është bllokuar rruga nacionale nga Peshkopia, në Qafë Buall.
Është bllokuar gjithashtu aksi Peshkopi- Kukës, Peshkopi- Librazhd, ku mund të lëvizet me shumë vështirësi vetëm me anë të zinxhirëve. Po ashtu, në qarkun e Dibrës prej disa ditësh vazhdiojnë të mbeten të izoluara edhe Komuna e Lurës, Kalaja e Dodës, Selishtë, ndërsa në Bulqizë është bllokuar komuna Krastë, Trebishtë dhe disa fshatra të komunës Zerqan. Në Mat vazhdojnë probleme në komunën Xibër, Macukull dhe disa fshatra në periferi.
Temperaturat në këto zona kanë arritur deri në -10 gradë celcius, duke bërë që edhe rrugët e qytetit të mbulohen nga ngricat. Ndërkohë që situata në juglindje të vendit vijon të mbetet e njëjtë ashtu si disa ditë më parë, kur temperaturat janë ulur ndjeshëm, dhe si pasojë janë bllokuar disa akse rrugore Korçë-Dardhë, Korçë-Pogradec, rruga që lidh Qafe Thanën me Pogradecin, Librazhd-Prrenjas. Në këto akse rrugore lëvizet me shumë vështirësi vetëm me zinxhirë. Vështirësi qarkullimi paraqiten edhe në aksin Tiranë- Elbasan, për shkak të trashësisë së dëborës dhe ngricat. Kjo situatë sipas të dhënave meteologjike do të vazhdojë deri më datën 20 dhjetor.