E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Financave: Ligji për ish-ushtarakët vendos barazi sociale

15/12/2010  “Zhurma e Ramës, demagogji politike”

Ministria e Financave i përgjigjet deklaratave të kreut të PS-së, Edi Rama, për pensionet e parakohshme të ish- ushtarakëve. Sipas njoftimit zyrtar, ligji synon të vendosë drejtësi sociale dhe trajtim të barabartë të shtetasve para ligjit. “Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, vetëm 7 400 persona, përfitonin një shumë prej 1.2 miliardë lekë në vit. Vetëm gjysma e fondit me të cilin sot shpërblehen 11 517 persona, të cilët trajtohen me pensione të parakohshme për vjetërsi shërbimi si ish-ushtarakë, është sa dyfishi i fondit të pensioneve që sot u shpërndahet 180 mijë pensionistëve në fshat. Një ish-ushtarak që nuk ka plotësuar moshën për pension dhe ka vetëm 27 vjet punë përfiton një pagë mujore të barabartë me 107 300 lekë të reja në muaj. Kjo kur një nënë që ka punuar 27 vjet dhe nuk ka plotësuar vitet për pension, merr sipas ligjit vetëm 7960 lekë. Qeveria ka kompensuar nga buxheti i shtetit diferencën, për të garantuar një pension prej 11 400 lekë për këtë kategori”, - thekson njoftimi. Veç pagës prej 107 300 lekësh të reja, buxheti i shtetit paguan për ish-ushtarakët edhe 11.2% si kontribut për vjetërsi. “Zhurma që bën kryetari i PS-së për trajtimin e ish-ushtarakëve me pension të posaçëm është thjesht demagogji politike. Partia e tij në 8 vite qeverisje nuk guxoi të merrte përsipër miratimin e një ligji të tillë, ndaj e miratoi atë kur po largohej nga pushteti në muajin maj të vitit 2005”, - përfundon deklarata.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›