E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vodhën paratë e konvikteve, 9 kujdestarë e arkëtare në gjyq

TIRANE - Nëntë arkëtare dhe kujdestarë të godinave të studentëve të ndërmarrjes 2 në Tiranë, dërgohen në gjykatë me akuzën e "vjedhjes me anë të shpërdorimit të detyrës". Sipas prokurorisë së Tiranës, punonjësit e Ndërmarrjes së Trajtimit të Studentëve nr.2 akuzohen se kanë vjedhur një shumë prej 3 milionë lekësh, pasi kanë përvetësuar paratë e studentëve që mbahen si garanci për pajisjet e konvikteve. Nga hetimet e prokurorisë ka rezultuar se në fillim të çdo viti shkollor studentët paguajnë 2 mijë lekë të reja, pasi marrin në dorëzim karrige, tavolinë, komedinë dhe dollap për dhomat e konvikteve, së bashku me krevatet dhe rrobat. Në këtë moment, studenti paguan 2 mijë lekë si garanci, të cilat në fund të vitit shkollor duhet t'i kthehen, në rast se nuk ka dëmtuar asnjë nga pajisjet e përdorura prej tij. Në rastin konkret, arkëtaret e ndërmarrjes së studentëve dhe kujdestarët e godinave akuzohen se kanë mbajtur paratë e studentëve, edhe pse ata kanë dorëzuar në rregull pajisjet e marra në dorëzim. Shtetasja D.H, arkëtare, së bashku me dy koleget e saj, Enkelejda Biba dhe Rozina Marku, akuzohen se kanë marrë pjesë në vjedhje. Po kështu, Prokuroria e Tiranës ka vënë nën akuzë edhe kujdestarët e godinave: Dale Ramku, Natasha Çaro, Diana Kaloti, Irena Shehu, Ola Xhihari, Shqipe Saraçi dhe Xhetan Kuta. Sipas hetimeve të prokurorit të Njësisë Task Force, Armand Gurakuqi, mësohet se vjedhja e parave nga të pandehurit ka ndodhur gjatë viteve 2007-2009. Denoncimi në polici është bërë nga vetë studentët, të cilëve nuk u janë kthyer paratë në fund të vitit. Pas përfundimit të hetimeve dosja është dorëzuar në gjykatë për shqyrtim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›