E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi dekoron regjisorin Mani dhe 6 aktorë

01/06/2010 Presidenti vlerëson Teatrin Kombëtar me rastin e 65-vjetorit

Drejtorit Skrami i dorëzohet urdhri “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”

Presidenti i Republikës Bamir Topi dekoroi dje me Urdhrin “Gjergj Kastrioti - Skënderbeu” Teatrin Kombëtar me rastin e 65-vjetorit të krijimit të tij me motivacionin: “Për kontribut të veçantë në zhvillimin dhe promovimin e vlerave skenike, duke ruajtur dhe konsoliduar identitetin kombëtar të artit dhe kulturës shqiptare.” Në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast në mjediset e Presidencës kreu i shtetit dekoroi regjizorin Pirro Mani dhe gjashtë aktorë, mes të cilëve edhe deputetet Luiza Xhuvani dhe Rajmonda Bulku. Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekreteve presidenciale nga sekretari i përgjithshëm Aleksandër Flloko, kryetari i shtetit i dorëzoi urdhrin e lartë drejtorit të Teatrit Kombëtar Kristaq Skrami. Më pas ceremonia vijoi me dekorimin nga Presidenti Topi të regjisorit Mani me Urdhrin “Nderi i Kombit” me motivacionin: “Personalitetit me kontribut të jashtëzakonshëm në historinë e teatrit shqiptar, mjeshtër i regjisurës, që falë përkushtimit dhe profesionalizmit të treguar gjatë karrierës së tij bart në vetvete një etikë të përkryer artistike të skenës.” Po në këtë veprimtari, në shenjë vlerësimi të lartë dhe nderimi për kontributin dhe veprimtarinë e tyre në vite në skenën e Teatrit Kombëtar, Presidenti i Republikës dekoroi aktorët e mirënjohur Naim Frashëri (pas vdekjes) me Urdhrin “Nderi i Kombit”; Agim Qirjaqi (pas vdekjes) me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”; Yllka Mujo me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”; Ndriçim Xhepa me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”; Rajmonda Bulku me Urdhrin “Naim Frashëri i Artë”; Luiza Xhuvani me Urdhrin “Naim Frashëri i Artë”. Në emër të Teatrit Kombëtar drejtori Skrami falënderoi kreun e shtetit për vlerësimin në këtë 65-vjetor.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›