E Diel, 1 Nëntor 2026

Mustafaraj: Procesi i numërimit në PS po manipulohet

TIRANË Procesi i numërimit për anëtarët e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste nuk ka përfunduar ende. Kjo kohëzgjatje, për Partinë Demokratike tregon se procesi po manipulohet. “Sapo u mbushën 72 orë nga përfundimi i votimit të 1500 delegatëve të klonuar të Partisë Socialiste dhe akoma rezultati nuk bëhet i njohur, pasi po përpunohet në fabrikën e falsifikimit të Edi Ramës. Asnjëherë më parë në historinë e këtij vendi nuk ka ndodhur që numërimi i votave të 1500 delegatëve të vijojë për 72 orë rresht, siç po ndodh në kongresin e Edi Ramës. Kjo dëshmon qartë se ky është një proces falsifikimi dhe manipulimi dhe jo një proces numërimi”, - tha dje zëdhënësja e PD-së, Albana Mustafaraj. Ajo shtoi se “njeriu që disa kohë më parë bërtiste 3 herë në ditë për zgjatjen e procesit të numërimit të 1 milion e 600 mijë votuesve shqiptarë për zgjedhjet e 8 majit, vijon të zgjasë me 72 orë numërimin e votave të 1500 delegatëve të klonuar të kongresit të tij, dhe kjo vetëm e vetëm që të arrijë klonimin në funksion të karriges së tij, të Asamblesë së ardhshme të kësaj partie”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›