Mblidhen aleatët, mungon Dule e Milo
Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka mbledhur dje në drekën e tij të përjavshme një pjesë të aleatëve të tij opozitarë. Rreth orës 14 në bar-restorant “Austria”, që ndodhet pranë selisë rozë, Rama ka shtruar sërish një drekë për disa nga aleatët e vet, kreun e PSD-së, Skënder Gjinushi; atë të PDK-së, Nard Ndoka; PLiDr, Spartak Ngjela; atë të PSV91, Petro Koçi si dhe koordinatorin e tryezës së opozitës, Preç Zogaj. Në drekën e kthyer tashmë në një ritual të përjavshëm, kanë munguar si në të shumtën e rasteve dy nga aleatët më kryesorë, kryetari i PDS-së, Paskal Milo dhe ai i PBDNJ-së, Vangjel Dule. I pari, sepse, siç bëri të ditur vetë PS-ja, ishte i angazhuar në mësimdhënie në universitet, ndërsa i dyti për shkak se shoqëronte kreun e shtetit, Bamir Topi, gjatë vizitës që ky zhvilloi në Jug. Burime pranë kësaj tryeze kanë bërë të ditur se bashkëbiseduesit kanë diskutuar në mënyrë joformale rreth situatës politike dhe kryesisht mbi punën apo ecurinë e bisedimeve me palën tjetër për reformën zgjedhore. Lidhur me sistemin, i cili përbën një nga kërkesat kryesore të aleatëve të vegjël, mësohet se Rama i ka informuar ata se ende nuk është vendosur asgjë, megjithëse pala tjetër ka kundërshtuar prekjen e tij. Një shpjegim ky që duket se ka të bëjë shumë me realitetin apo atë çka PS-ja ka biseduar me PD-në, pasi tashmë është pranuar publikisht nga negociatori socialist Damian Gjiknuri se është hequr dorë përfundimisht nga ndryshimi i sistemit elektoral.