E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Reforma zgjedhore do mbyllet

Kryeministri Berisha gjatë fjalimit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës

Kryeministri prezanton Presidencën shqiptare në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës.

Kemi bashkëpunim konstruktiv midis maxhorancës dhe opozitës

Kryeministri Berisha mbajti dje një fjalim në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, në Strasburg, me rastin e marrjes së Presidencës shqiptare të Komitetit të Ministrave të KiE-së.
Në fjalën e tij para anëtarëve të Asamblesë dhe më pas duke iu përgjigjur pyetjeve të të pranishmëve, kreu i qeverisë shqiptare shpalosi prioritetet dhe objektivat e Presidencës shqiptare gjatë këtyre 6 muajve. Marrja e drejtimit të Këshillit të Ministrave vjen 20 vjet pasi Shqipëria paraqiti kërkesën për tu bërë anëtare e Këshillit të Europës. Njëzet vjet më parë, më 6 maj të vitit 1992, në vizitën e parë jashtë vendit si President i parë i Shqipërisë së sapodalë nga diktatura më e egër që Europa kishte njohur pas Luftës së Dytë Botërore, unë paraqita përpara kësaj Asambleje të nderuar vullnetin e qeverisë e popullit tim për anëtarësimin e Shqipërisë në Këshillin e Europës. Kjo ëndërr, të cilën shqiptarët e kishin mbrujtur për dekada të tëra, në maj të vitit 1995 do të shndërrohej në realitet; Shqipëria do të anëtarësohej në Këshillin e Europës, u shpreh Kryeministri, i cili në këtë mbledhje shoqërohej nga ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto. Sipas Berishës, kryesia shqiptare do të organizojë një konferencë të nivelit të lartë, ku do të diskutohet mbi diversitetin në Europë; promovimin e dialogut ndërkulturor dhe rolin e arsimit për promovimin e mirëkuptimit të ndërsjellët. Gjatë pyetjeve të anëtarëve të Asamblesë, Berisha vlerësoi marrëveshjen e arritur me opozitën për kryerjen e reformës zgjedhore. Është e vërtetë që ka pasur diskutime përsa i përket Kodit Zgjedhor, madje edhe mbi Kodin aktual Zgjedhor, që ka qenë rezultat i një konsensusi në secilin prej paragrafëve të tij. Unë shpresoj që javët në vijim reforma zgjedhore do të përfundohet. Së pari, prej tetorit të kaluar ne kemi parë një bashkëpunim konstruktiv midis maxhorancës dhe opozitës. Ne kemi kaluar disa ligje dhe kode të tjera të rëndësishme, tha kreu i qeverisë. Duke folur për luftën kundër korrupsionit, Berisha tha se Ekzekutivi që ai drejton e ka luftuar këtë fenomen dhe ka arritur të mbledhë 8 miliardë dollarë më shumë gjatë këtyre viteve. Ndërsa për akuzat për trafik organesh të bërë nga Dick Marty, Kryeministri tha se përsa i përket raportit të Dick Marty-t, zyrtarisht unë jam shumë i interesuar për hetimin e çdo akuze që lidhet me krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës. Për njohuritë tuaja dhe të kolegëve tuaj, ne aprovuam një ligj të veçantë në Parlament, që u jep të gjitha autoriteteve, skuadrës hetuese të EULEX-it, të drejtën për hetim në vendin tim. Ata skicuan ligjin, ne e votuam ashtu siç ishte. Qëndrimi im në lidhje me këtë çështje është se duhet hetuar plotësisht.

Takimi me kreun e Asamblesë
Gjatë qëndrimit në Strasburg Berisha u takua me Presidentin e Asamblesë Parlamentare, Jean-Claude Mignon. Shqipëria është një vend që angazhohet të vazhdojë me cilësi atë që nisi gjatë kryesisë së shkuar një demokraci tjetër e madhe, siç është Mbretëria e Bashkuar. Jam i lumtur që Shqipëria sot ka rastin të vijojë linjat kryesore të programit të Britanisë, tha Mignon.

Deklaratat e Spahisë, pa pasoja
Kryeministri Berisha u pyet dje edhe për deklaratat e zv.ministrit të Mbrojtjes, Ekrem Spahia, lidhur me paradën e komunitetit gay. Për herë të parë në histori këta njerëz kërkuan të mbanin paradën e tyre, që ishte në të drejtën e tyre dhe, pa dyshim, qeveria ime qëndroi në mbështetje të plotë ndaj tyre dhe bëri thirrje për tolerancë të plotë ndaj tyre. Është e vërtetë që një zyrtar bëri një deklaratë që nuk ishte e mirë, por pa pasoja, sepse parada shkoi shumë mirë, u shpreh Kryeministri.

Gjakmarrja me përmasa të vogla
Ajo pothuajse është arkivuar në të kaluarën. Megjithatë, ka ende raste të gjakmarrjes. Nuk është ende një situatë e zeruar, por këto janë raste shumë të pakta. Gjithashtu, edhe vitin e kaluar takova të Dërguarin Special të të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara, i cili erdhi në Shqipëri, hetoi dhe saktësoi vetë se fenomeni, dukuria në fjalë ekziston, por në përmasa mjaft  herë më të vogla sesa ajo që mediatizohet apo shpallet, tha Berisha.

ADI SHKEMBI

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›