Braçe: Fituesi i Lotarisë, 7 lojëra monopol

Erjon Braçe
Nënkryetari i Grupit të PS akuzon qeverinë për aferën korruptive.
Tarifa 300 milionë lekë, ndërsa për kazinonë ishte 1 miliard
Opozita e ka sulmuar dje sërish qeverinë sa i përket tenderit të Lotarisë Kombëtare. Nënkryetari i Grupit të PS-së, Erjon Braçe, shkruan në faqen e tij në Facebook, se Kryeministri Sali Berisha dhe kreu i Financave, Ridvan Bode, po gënjejnë për këtë tender për faktin se fituesi i tij do të ketë monopolin në shtatë lojëra, dhe jo vetëm në një. Kryeministri Sali Berisha dhe ministri i Financave, Ridvan Bode, në çdo gjë që kanë thënë gjate 5 ditëve të fundit, kanë gënjyer! Çfarë fshehin? Kush po i përfiton 100 milionë euro? Licenca për Lotari Kombëtare përfshin brenda saj lejen për organizimin e 7 lojërave kombëtare, unike, monopol! Kompanisë që merr licencën e Lotarisë Kombëtare i lejohet publiciteti gjithëformësh, për të siguruar një shumicë dërrmuese lojtarësh, favor ekskluziv vetëm për këtë kompani!, shkruan Braçe në faqen e tij në internet. Sipas zyrtarit të lartë të Partisë Socialiste, tarifa e licencës monopol të Lotarisë Kombëtare është vetëm 300 milionë lekë, ndërkohë që tarifa për licencën e kazinosë në zonën e Tiranës është 1 miliard lekë, në zonën e Durrësit është 600 milionë lekë, jashtë tyre është 300 milionë lekë. Çmimi i shitjes së kësaj të drejte që i përket popullit shqiptar, u përjashtua si kriter bazë konkurrimi nga qeveria e Sali Berishës, jo nga konsulenti i huaj. Ministria e Financës është autorizuar të marrë një konsulent të huaj në janar 2012, në të njëjtin vendim të Këshillit të Ministrave, ku janë përcaktuar qartë kriteret e konkurrimit. Ky vendim ka përcaktuar edhe mandatin e konsulentit për të asistuar publikimin e dokumenteve të tenderit, procesin e konkurrimit dhe vlerësimit të fituesit, lidhjes së kontratës me fituesin. Pra, konsulenti i huaj që është përzgjedhur në mars 2012, dy muaj më pas, nuk ka pasur mandat të hartojë kritere. Ato ishin hartuar duke përjashtuar çmimin që në janar!, shkruan më tej deputeti socialist.
Kompania paguan vetëm 10% të xhiros
Tatimi i vetëm që qeveria ka përcaktuar për tu paguar nga kompania e licencuar për Lotarinë Kombëtare do të jetë ai 10% mbi vëllimin tërësor të xhiros! Asgjë tjetër më shumë, as TVSH e as tatim në burim për çdo çmim të shpërndarë. Të gjitha tatimet e tjera janë po të njëjtat që paguajnë edhe qytetarët, gjithashtu bizneset vendore, duke nisur nga bizneset e vogla! Pas gjithë këtyre fakteve ka një pyetje: Sali Berisha, kujt po ia fal 100 milionë euro? Sali Berisha, sa përfiton ti nga këto 100 milionë euro?, deklaron Braçe.