Idrizi: Kauza çame, më e rëndësishme se çdo post

Dje gjatë ceremonisë për çeljen e Javës së Kulturës dhe Historisë së Çamërisë
Java e Kulturës dhe Historisë së Çamërisë nis në rrugët e Tiranës.
Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet dhe shoqata Çamë-ria kanë nisur dje zhvillimin e ceremonive njëjavore të Javës së Kulturës dhe Historisë së Çamërisë.
Në rrugët e kryeqytetit dalloheshin lehtësisht parullat Unë e dua Çamërinë, ndërkohë që në sheshin Skënderbej dhe në sheshin Nënë Tereza janë vendosur dy monumente shkronja tredimensionale – me parullën I Love Çamëria. Aktivitetet e Javës Çame u çelën në sheshin Tre Vëllezërit Frashëri, ku dhjetëra qytetarë, shqiptarë të Çamërisë apo të viseve të tjera, u grumbulluan për të ndjekur nga afër dëshmitë e të shpërngulurve nga shtëpitë e tyre, si edhe për të ndjekur materialet muzikore të përzgjedhura që do të vazhdojnë të transmetohen përgjatë gjithë javës. Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, u shpreh se këtë vit ne e kemi nxjerrë Javën Çame nga sallat e mbyllura të konsumit të brendshëm në sheshet kryesore të vendit. 100 vite më parë, në sheshet e Tiranës, banorët e qytetit kishin dalë për të protestuar lënien jashtë trungut të shtetit shqiptar të Kosovës dhe Çamërisë. 70 vjet më parë, në këto sheshe kishin protestuar për të drejtat e shqiptarëve të Çamërisë që u dëbuan gjatë Traktatit të Lozanës. 68 vjet më parë pritën refugjatët, bashkëkombësit e tyre nga Çamëria, që u dëbuan me anë të një nga gjenocidet më të ashpra. Sipas tij, qytetarët shqiptarë në të gjithë vendin tani janë të bashkuar për çështjen çame. Sot ne bashkohemi të gjithë për të përkujtuar martirët e Çamërisë. Kjo javë është e të gjithë shqiptarëve, se Çamëria është e të gjithë shqiptarëve. Ne mund të themi me bindje se çështja çame është sot më e fortë se kurrë, e ka fituar betejën me kohën dhe jemi më të vendosur se kurrë ta çojmë deri në fund kauzën çame. I pyetur nga mediat nëse Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet do të kërkojë të përfaqësohet në nivel ministror pas ndryshimeve të fundit në kabinetin qeveritar, kreu i PDIU-së tha se misioni i kësaj force politike tani është dërgimi në Parlament i rezolutës çame. Kjo atmosferë këtu, bërja e varrezave të Kllogjerit, ku dergjen 3 mijë shqiptarë të Çamërisë që dhanë jetën vetëm pse ishin shqiptarë, është shumë më e rëndësishme se çdo përfshirje jona kudo dhe në çdo post. Ne jemi këtu për të kërkuar drejtësi për Çamërinë, për të kërkuar rezolutën çame. Kjo është motoja jonë, ky është misioni ynë, tha kryetari i PDIU-së.
Varreza e Kllogjerit
Java Çame do të shoqërohet nga një sërë aktivitetesh, duke nisur nga dita e nesërme, për të kulmuar në marshimin e përvitshëm çam në Qafë-Botë. Këtë vit, lajtmotivi do të jetë ditën e shtunë, në Kllogjer të Sarandës, ku më shumë se 3000 shqiptarë të Çamërisë humbën jetën e nuk u lejuan të kishin as një gur mbi varr. Aty do të nisë ndërtimi i një varreze monumentale për ti nderuar dhe për të kujtuar atë gjenocidin mbi shqiptarët e Çamërisë.Dëshmitë e të mbijetuarve
Aktivitetet e Javës Çame u çelën në një nga pikat e mësipërme, përkatësisht në sheshin Tre Vëllezërit Frashëri, ku dhjetëra qytetarë, shqiptarë të Çamërisë apo të viseve të tjera, u grumbulluan për të ndjekur nga afër dëshmitë e të shpërngulurve nga shtëpitë e tyre, si edhe për të ndjekur materialet muzikore të përzgjedhura që do të vazhdojnë të transmetohen përgjatë gjithë javës.
ADI SHKEMBI