Shkarkimet në administratë, refuzohen vendimet e KSHC

Kreu i Shërbimit Civil, Fatmir Tafaj, dje në Komisionin e Ligjeve
Kreu i Shërbimit Civil, Fatmir Tafaj, raport në Komisionin e Ligjeve.
Kuvendi: Të merret në konsideratë mendimi i DAP.
Institucionet shtetërore nuk zbatojnë asnjë prej vendimeve të Komisionit të Shërbimit Civil. Këtë e konfirmoi dje kreu i KSHC-së, Fatmir Tafaj, gjatë diskutimit të raportit vjetor të këtij institucioni në Komisionin e Ligjeve. I pyetur nga deputeti i PS-së, Sajmir Tahiri, se sa është numri i vendimeve të pazbatuara nga administrata për vitin e kaluar, Tafaj u shpreh: 100 për qind vullnetarisht. Ne e kemi theksuar në raport. Ky përbën një precedent të rrezikshëm jo për sot, por gjatë gjithë kohës. Në rast se do të vazhdojë kështu, ai dëm ekonomik do të vazhdojë në buxhet, prandaj me KLSH-në kemi hyrë në tratativa për ta kufizuar që të mos ndodhë në të ardhmen. Gjatë raportimit ai evidentoi një sërë rastesh kur institucionet kanë shkelur ligjin, kryesisht për mënyrën se si i bëjnë konkurset dhe faktin se vazhdojnë ti marrin punonjësit në punë me kontratat e përkohshme. Në këtë pikë Tafaj kritikoi edhe punën njëvjeçare të bërë nga Departamenti i Administratës Publike. Janë 228 pozicione pune të emërimit me kontratë. Emërime me kontratë pa marrë më parë miratimin e DAP, nga mbikëqyrja kanë dalë 228 raste të tilla, ndërsa nga konstatimet në DAP janë konstatuar vetëm 80 raste të miratuara. Vihet re një lloj nxitimi nga DAP për të kryer procedurat e konkurrimit, ku janë shpallur 200 konkurrime njëherësh, të cilat kanë përfunduar me emërimet e kandidatëve fitues, të cilët kanë qenë në marrëdhënie pune të përkohshme në momentin e konkurrimit, u shpreh drejtuesi i KSHC-së. Sipas tij, për shkak të moszbatimit të vendimeve, Tatimet i kanë shkaktuar buxhetit një dëm prej 100 milionë lekësh për vetëm 3 punonjës, të cilët u hoqën nga puna. Në raport theksohet se gjatë procesit të ristrukturimit në këto institucione, rezultojnë pozicione pune në Shërbimin Civil të plotësuara nëpërmjet kontratës së përkohshme dhe përkatësisht, në Ministrinë e Drejtësisë 32 raste (ku në 22 raste kontratat janë lidhur një ditë pasi punonjësit janë regjistruar në listë-pritje) dhe në Ministrinë e Mbrojtjes 55 raste. Nga ana e tij, Kuvendi, nëpërmjet Shërbimit të Monitorimit të Institucioneve të Pavarura, vuri theksin te fakti se disa institucione nuk e pyesin DAP-in përpara se të marrin punonjës në punë. Problematika del në pah sa i përket analizimit të gjendjes reale dhe nevojës për shkurtim të mirëfilltë të vendeve të punës. Dhe ky fakt nuk është adresuar as në DAP, ose nuk është marrë siç duhet në konsideratë mendimi i DAP-it ku institucioni, edhe pse DAP nuk ka dhënë miratimin për kalimin në listën e pritjes, ka vazhduar vetë me procesin. Pra, në këtë rast DAP apriori (pa shkurtuar numrin e punonjësve dhe pa ndryshuar përshkrimin e punës, elemente këto detyruese në rastet e ristrukturimit të institucioneve), ka miratuar kalim punonjësish në listë-pritjeje e më pas ka miratuar plotësimin e pozicioneve të lira të punës me kontratë, u shpreh Sonila Kadare, këshilltare e Kuvendit.
Raporti i KSHC
. 261 ankesa të shqyrtuara nga KSHC në vitin 2011.. 162 ankesa janë nga administrata qendrore, 78 nga administrata vendore dhe 21 nga institucionet e pavarura.
. 92 ankesa janë pranuar nga KSHC, 29 janë pranuar në mënyrë të pjesshme, 62 ankesa janë rrëzuar, 60 janë punuar, 5 janë pezulluar dhe për 13 nuk është arritur kuorumi.
. 124 ankesa kanë ardhur pas masës disiplinore për largim nga shërbimi civil, 35 për vërejtje me shkrim/paralajmërim dhe 13 për ulje në detyrë.
. 42 ankesa nga punonjës të administratës qendrore janë pranuar (11 janë pranuar pjesërisht); 32 ankesa janë rrëzuar dhe 30 të tjera janë punuar (11 për mosarritje kuorumi dhe 19 për jokompetencë ose heqje dorë)
. 37 ankesa janë pranuar për punonjës të administratës vendore; 4 ankesa janë rrëzuar dhe 22 janë punuar.
Paditë për vendimet e KSHC
Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për vitin 2011 janë regjistruar 19 padi, të cilat kundërshtojnë vendimet e Komisionit të Shërbimit Civil, pasi ankuesit nuk kishin gjetur të drejtën nga vendimet e dhëna. Nga këto padi, sipas raportit të KSHC-së, Gjykata ka pranuar vetëm 6 dhe ka vendosur prishjen e vendimit të Komisionit të Shërbimit Civil. Në Gjykatën e Apelit në Tiranë janë shqyrtuar rreth 26 çështje të KSHC-së, nga të cilat 25 janë lënë në fuqi dhe vetëm një është rrëzuar.
Debati në Komisionin e Ligjeve
Fatmir Tafaj (kryetar i KSHC): U regjistruan në KSHC 188 ankesa dhe janë marrë 261 vendime. Në këtë numër është përfshirë edhe shqyrtimi i 8 ankesave nga 2010-a. Nga punonjësit e administratës qendrore janë 162 vendime dhe janë përqendruar në Ministrinë e Drejtësisë, Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, që zë 60% dhe Ministrinë e Bujqësisë. Nuk është zbatuar ligji gjatë ristrukturimit të institucioneve, nuk është zbatuar ligji gjatë procedurës së masave disiplinore. Janë 228 pozicione pune të emërimit me kontratë. Emërime me kontratë pa marrë më parë miratimin e DAP, nga mbikëqyrja kanë dalë 228 raste të tilla, ndërsa nga konstatimet në DAP janë konstatuar vetëm 80 raste të miratuara. Vihet re një lloj nxitimi nga DAP për të kryer procedurat e konkurrimit, ku janë shpallur 200 konkurrime njëherësh, të cilat kanë përfunduar me emërimet e kandidatëve fitues, të cilët kanë qenë në marrëdhënie pune të përkohshme në momentin e konkurrimit.
Sonila Kadare (Shërbimi i Parlamentit për monitorimin e institucioneve të pavarura): Problematika del në pah sa i përket analizimit të gjendjes reale dhe nevojës për shkurtim të mirëfilltë të vendeve të punës. Dhe ky fakt nuk është adresuar as në DAP, ose nuk është marrë siç duhet në konsideratë mendimi i DAP-it, ku institucioni, edhe pse DAP nuk ka dhënë miratimin për kalimin në listën e pritjes, ka vazhduar vetë me procesin. Pra, në këtë rast DAP apriori (pa shkurtuar numrin e punonjësve dhe pa ndryshuar përshkrimin e punës, elemente këto detyruese në rastet e ristrukturimit të institucioneve), ka miratuar kalim punonjësish në listë-pritjeje e më pas ka miratuar plotësimin e pozicioneve të lira të punës me kontratë. Pra DAP ka lejuar vazhdueshmërinë e kontratave pa miratimin e saj duke pranuar mosbindjen e institucioneve të saj. DAP në këtë rast duhet të insistojë me vendosmërinë dhe argument ligjor (kompetencë e DAP), dhe jo ta lërë situatën në dorë të përzgjedhjes së vetë institucionit.
Bashkim Fino: Ju e vlerësoni punën e DAP-it në mënyrë negative. A keni kryer ju në Kryeministri kontroll? Çfarë dëmi sjell në buxhet mosekzekutimi i menjëhershëm i vendimeve të KSHC-së? Në raport thuhet se në Gjykatën e Shkallës së Parë rrëzohen vendimet e KSHC-së dhe në Gjykatën e Apelit ato pranohen.
Fatmir Tafaj: Marrëdhëniet mes DAP dhe KSHC nuk janë konfliktuale. Ne kemi arritur që me DAP të bashkëpunojmë. Nuk ka qenë në ato rezultate që ne kërkojmë, por, megjithëse procesi i mbikëqyrjes në institucionet qendrore përfshihet edhe për DAP, është ezauruar si një problem kontrolli edhe për këtë institucion. Indirekt ne kemi kontrolluar edhe DAP-in. Ne nuk jemi institucion që bëjmë llogaritjen e dëmit në buxhetin e shtetit. Në vitin 2011, në 22 çështj