E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi dhe Berisha falënderojnë Bush

Nënshkrimi i protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO nga Presidenti Bush është vlerësuar si një ngjarje historike nga krerët e politikës shqiptare. Presidenti Topi dhe Kryeministri Berisha kanë falënderuar kreun e Shteteve të Bashkuara Bush dhe kanë shprehur mirënjohjen më të thellë të popullit shqiptar. Pas nënshkrimit nga SHBA-ja të protokollit të anëtarësimit, mundësia e Shqipërisë për të qenë pjesë me të drejta të plota në aleancën e Atlantikut duken më të shumta.

Presidenti Topi

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i ka shprehur nëpërmjet një mesazhi mirënjohjen e popullit shqiptar Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Xhorxh Bush, me rastin e nënshkrimit të Protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Në mesazhin e kreut të shtetit shqiptar thuhet: "I nderuar zoti President! Më lejoni që në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, t‘Ju shpreh mirënjohjen dhe falënderimet më të përzemërta për mbështetjen e vazhdueshme e të gjithanshme që i jepni Shqipërisë dhe popullit shqiptar! Nënshkrimi nga ana Juaj i Protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, i mbështetur unanimisht nga Senati i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, rikonfirmoi besimin se vendi juaj mbetet aleati më i madh dhe i besueshëm i Shqipërisë". Më tej, Presidenti Topi, duke iu drejtuar Presidentit Bush, thekson se "vendimi juaj inkurajon proceset demokratike në Shqipëri e në të njëjtën kohë forcon vullnetin e popullit tim për të ndërtuar një shtet të së drejtës, të lirisë dhe të respektit ndërinstitucional, një shtet të aftë për të përballuar me sukses sfidat që e ardhmja i rezervon. Duke Ju falënderuar edhe një herë, si edhe duke Ju siguruar për ndjenjat e thella të miqësisë së popullit shqiptar".

Kryeministri Berisha

Akt kulmor për historinë e Shqipërisë e ka vlerësuar nënshkrimin e protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO nga Presidenti Bush, Kryeministri Berisha. Gjatë një konference për shtyp, kreu i qeverisë ka vlerësuar se "firmosja me datë 24 tetor nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhorxh Bush, të ligjit të Senatit të Shteteve të Bashkuara për anëtarësimin e Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut, përbën aktin ligjor më madhor në historinë e marrëdhënieve midis dy vendeve, pas njohjes nga vendi i lirisë, i Shqipërisë së pavarur". Ky akt, ka vijuar më tej Kryeministri, përbën një besim të madh, një votëbesim të madh për shqiptarët, Shqipërinë dhe reformat e saj të suksesshme. Sipas tij, "ky akt përbën një vlerësim të madh për përpjekjet e suksesshme të Shqipërisë për shkatërrimin e një sistemi totalitar më të egër në Evropë, hiperkolektivizmit total, izolimit më të thellë të shoqërisë së lirisë, shtetit ligjor dhe ekonomisë së lirë të tregut". Kryeministri Berisha i ka garantuar qytetarët shqiptarë, Presidentin e Shteteve të Bashkuara se qeveria e tij do të ndërmarrë të gjitha masat, do të ndjekë të gjitha reformat në mënyrë që demokracia, shteti ligjor, shoqëria e bazuar në vlerat e lirisë të njohin konsolidime të pandërprera.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›