E Shtunë, 31 Tetor 2026

Veliaj: Shkodra mbetet e diskriminuar

Shkodra është qyteti më i persekutuar në historinë e çdo sistemi politik shqiptar. Ky ishte konstatimi i djeshëm i kreut të grupimit G99, Erion Veliaj, në prezantimin publik të lëvizjes në kryeqendrën e veriut. "Ky qytet është porta veriore tokësore e Shqipërisë me Evropën, por këtu nuk ka një rrugë kufitare të standardeve evropiane, këtu nuk ka një universitet me infrastrukturë evropiane, këtu nuk ka një spital me standarde evropiane", theksoi Veliaj. Gjatë këtij takimi, intelektualë dhe të rinj patën mundësinë të pyesnin rreth frymës dhe programit të G99-ës dhe folën për nevojën e ringjalljes së shpresës, si dhe të besimit te strukturat e shtetit. Veliaj u tha shkodranëve se 2009-a duhet të jetë viti ku përtej premtimeve të radhës realizohet shkëputja përfundimtare, në një kohë ku e vetmja arritje e përfolur nga politikanët është shembja e komunizmit. Ai i ftoi të gjithë të rinjtë dhe qytetarët që të angazhohen, në mënyrë që fatet e qytetit dhe të vendit të menaxhohen nga njerëz të aftë dhe të angazhuar për të kontribuar publikisht. Veliaj u tregua i ashpër me mazhorancën aktuale, duke thënë se në Shkodër ajo ka shfrytëzuar historikun e dhimbshëm të persekutimit pa dhënë asnjë investim për ta çuar përpara qytetin.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›