Topi dhe Berisha, ngushëllime për Lublin Diljen
Institucionet e larta të shtetit shqiptar i dërguan dje mesazhe ngushëllimi familjarëve të diplomatit të karrierës Lublin Dilja për ndarjen nga jeta. "Me shumë hidhërim mësova lajmin e largimit të parakohshëm nga jeta të Lublinit. Dëshiroj t‘i shpreh ngushëllimet e mia më të thella familjes, nënës së tij, bashkëshortes, fëmijëve dhe të gjithë të dashurve të tij dhe të ndaj me ta dhimbjen që shkaktoi humbja e të dashurit të tyre të zemrës", thuhet në mesazhin e kreut të shtetit, Bamir Topi. "Vendi humbi një intelektual të formuar, diplomacia shqiptare një ambasador të përkushtuar, familja birin, bashkëshortin dhe babanë e dashur e të nderuar", përfundon mesazhi i Presidentit Topi. Sakaq, një mesazh ngushëllimi është dërguar edhe nga Ministria e Punëve të Jashtme. Ky dikaster njoftoi me hidhërim se u nda nga jeta diplomati i njohur Lublin Dilja. Ai vuante nga një sëmundje e rëndë dhe ishte në shërbim të diplomacisë dhe shtetit shqiptar prej shumë vitesh. Dilja lindi në Elbasan në vitin 1957. Pas mbarimit të studimeve, ai ishte për shumë vite pedagog i anglishtes në Universitetin "Aleksandër Xhuvani" në Elbasan. Ai u përfshi në shërbimin e jashtëm që në vitin 1992. Në vitin 2001, Dilja u zgjodh deputet i Partisë Demokratike në Elbasan. Aktualisht shërbente si Ministër Fuqiplotë në Misionin e Republikës së Shqipërisë pranë Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Ministria e Punëve të Jashtme shpreh ngushëllimet më të thella për familjen, të afërmit, kolegët dhe miqtë e zotit Dilja, për humbjen e njeriut të tyre të dashur.