Xhufi: Konfuzion dhe pasiguri për kartat e identitetit
Procesi i pajisjes së shtetasve shqiptarë me kartat e identitetit u cilësua si tejet kaotik prej Lëvizjes Socialiste për Integrim. Zëvendëskryetari Pëllumb Xhufi u shpreh se procesi i marrjes së të dhënave bëhet, siç është konstatuar, në kushte tepër të vështira, në ambiente krejtësisht të papërshtatshme dhe me aparatura, të cilat që tani kanë treguar defekte dhe limitet e tyre, siç janë ato për marrjen e shenjave të gishtave. Sakaq, LSI-ja vlerëson se bashkë me kartat e identitetit, ajo që mbetet një e panjohur e madhe për qytetarët shqiptarë është edhe vetë kompania e huaj "Sagem", e cila ka marrë në koncesion realizimin e këtij procesi. "Një konfuzion dhe një pasiguri ekziston për të gjithë shqiptarët edhe për çështjen e çmimit", nënvizoi numri dy i partisë. LSI-ja i kërkon qeverisë, në radhë të parë, të bëjë transparencë të plotë mbi marrëdhëniet e saj mbi firmën koncesionare "Sagem".