Topi dhe Nano ngushëllojnë Familjen Mbretërore

Vijojnë vizita e ngushëllimit në familjen mbretërore për ndarjen nga jeta të pretendentit të fronit mbretëror Leka Zogu I.
Ditën e sotme kanë shprehur ngushëllimet e tyre edhe presidenti i republikës Bamir Topi dhe njëkohësisht ish-kryetar i Partisë Socialiste Fatos Nano.
Kreu i Shtetit dhe Zonjën e Parë i shprehën personalisht ngushëllimet për humbjen e pazëvendësueshme të pretendentit të fronit familjarëve e në mënyrë të veçantë djalit të tij, Leka Zogu II si dhe bashkëpunëtorëve të shumtë të njërës prej figurave më të rëndësishme atdhetare e antikomuniste shqiptare, i cili me përkushtim dhe devotshmëri, ia kushtoi jetën përpjekjeve të vazhdueshme në të mirë të Shqipërisë dhe të shqiptarëve.
Pas lënies së një shënimi në Librin e Zisë të vendosur me këtë rast në mjediset e Oborrit Mbretëror, Presidenti i Republikës rishprehu ngushëllimet dhe vlerësimet edhe para përfaqësuesve të shumtë medias, duke theksuar: “Erdha të ngushëlloj nga afër Familjen Mbretërore për humbjen e Leka Zogu I. Sigurisht ndava me Princ Lekës dhimbjen, e cila nuk është vetëm e familjes, por e mbarë shoqërisë shqiptare që sot respekton një njeri, i cili ndonëse pati një jetë shumë të vështirë larg Shqipërisë, asnjëherë nuk iu shmang detyrimeve qytetare për të qenë një patriot dhe për të kontribuar për çështjen kombëtare”.
Ai ka theksuar se Shqipëria sot ka nevojë për çdo njeri për të kontribuar për të ardhmen e këtij vendi që sigurisht është dhe ka qenë edhe në ëndrrat e të gjithë patriotëve shqiptarë për të qenë pjesë e Evropës së qytetëruar.
Ndërkohë dita e nesërme do të jetë ditë zie në të gjithë vendin. Përcjellja për në banesën e fundit të pretendentit për fronin mbretëror Leka Zogu i Pare do të përfshijë nderimet më të larta që parashikohen në protokollin e shtetit.