E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi dhe Sejdiu qëndrim unik: Kosova nuk ndahet

Nga Suela Gera
Në konferencën e përbashkët me homologun kosovar, Presidenti Topi theksoi “Nuk mund të ketë skenar të ndarjes së Kosovës. Kosova do të projektohet si e tillë, si një vend integral dhe multientik”. 

TIRANE-“Implementimi sa më shpejt i EULEX-it në Kosovë do të sjellë një normalitet në të gjitha linjat e funksionimit qoftë politik, qoftë administrativ që Kosova të punojë si shtet i pavarur”-tha Presidenti i Republikës Bamir Topi, në konferencën e përbashkët me presidentin e Kosovës Fatmir Sejdiu. Presidenti Topi theksoi se tashmë cështja Kosovës për Shqipërinë konsiderohet e përfunduar. “Kosova është njohur nga vendet më të rëndësishme të botës dhe pavarësia tashmë është e pakthyeshme. Nuk mund të ketë skenar të ndarjes së Kosovës. Ajo do të projektohet si e tillë, si një vend integral dhe multientik.”- tha presidenti Topi.

Presidenti Bamir Topi e cilësoi vizitën e presidentit kosovar si historike dhe vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve si në aspektin politik edhe në nivelin institucional dhe atë ekonomik dhe në të gjitha fushat. Ai theksoi se marrëdhëniet mes dy vendeve do të vazhdojnë dhe do të zhvillohen në të gjitha fushat. Presidenti Topi vlerësoi rrugën Durrës- Kukës- Morinë, si një projekt mjaft të rëndësishëm infrastrukturor ko vetëm mes dy vendeve.

“Rruga që lidh Durrësin me Morinën, do të jetë rrugë që do t’i shërbejë edhe popujve të tjerë. E ardhmja nuk do jetë mes dy vendeve por mes të gjitha vendeve në Ballkan”- shtoi Presidenti Topi në fjalën e tij.
Presidenti i Republikës, Bamir Topi vlerësoi, rolin e lidershipit institucional dhe politik në Kosovë, ku po projektohet një shtet me parametrat e demokracisë.

Nga ana e tij presidenti Sejdiu tha se integrimi në NATO dhe në BE është objektivi i përbashkët si i Kosvoës ashtu dhe i Shqipërisë dhe u shpreh optimist se Kosova do të njihet dhe nga shtete të tjera si
Shtet i pavarur.

Gjatë fjalës së tyre dy presidentët shqiptarë theksuan si prioritet i Tiranës dhe Prishtinës kontrollin e kufijve, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“Marrëdhëniet në fushën e sigurisë do të intensifikohen. Ekziston një bashkëpunim shumë i mirë për ruajtjen e kufijve”- vlerësoi presidenti Topi. Nga ana e tij Presidenti Sejdiu vlerësoi gjithashtu dhe bashkëpunimin e mirë me NATO dhe trupat e saj. “Për sa i përket sigurisë, jemi në përmbyllje të mekanizmave të sigurisë. Kjo do të jetë në partneritet me miqtë e Kosovës dhe në bashkëpunim me vendet e tjera” nënvizoi presidenti Sejdiu

Vetëm pak kohë para se dy presidentët të dilnin në konferencë të përbashkët, në Pallatin e Brigadave presidenti Topi dekoroi homologun Sejdiu me urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Presidenti kosovar u shpreh se ishte një nder i vecantë jo vetëm për të por për të gjithë popullin e Kosovës.

Presidenti Sejdiu ndodhet në Shqipëri për një vizitë zyrtare. Kjo është vizita e tij e parë zyrtare si president i Kosovës. Në kuadër të kësaj vizite është parashikuar që sot pasdite Presidenti Sejdiu do t’u drejtohet me një mesazh deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë dhe do të ketë takime të veçanta me Kryetaren e Parlamentit, znj.Jozefina Topalli dhe Kryeministrin e vendit, z.Sali Berisha. Në ditën e dytë Presidenti Topi dhe Presidenti Sejdiu do vizitojnë segmentin Rrëshen-Kalimash, pjesë e rrugës Durrës-Kukës që do lidhë Shqipërinë me Kosovën. Po në ditën e dytë të vizitës në Shqipëri, Presidenti Sejdiu do vizitojë qytetin e Shkodrës ku do të marrë dhe titullin “Qytetar Nderi”
(BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›